Tragjedia e natës së Vitit të Ri në resortin e njohur të skive në Crans-Montana është kthyer në një çështje të nxehtë diplomatike midis Italisë dhe Zvicrës.
Qeveria italiane, e drejtuar nga Giorgia Meloni, ka ashpërsuar ndjeshëm tonet mbrëmjen e së hënës, duke kushtëzuar normalizimin e marrëdhënieve diplomatike me zbardhjen e ngjarjes.
Ultimatum për hetim të përbashkët
Sipas një njoftimi zyrtar, Italia i ka bërë thirrje Zvicrës të “fillojë bashkëpunim efektiv midis autoriteteve gjyqësore të të dy vendeve”.
Kërkesa kryesore e Kryeministres Meloni dhe Ministrit të Jashtëm Antonio Tajani është specifike dhe e panegociueshme: “krijimi i menjëhershëm i një ekipi të përbashkët hetimor”.
“Qëllimi është të përcaktohen, pa vonesa të mëtejshme, ata që janë përgjegjës për masakrën e Crans-Montana të 1 janarit 2026,” thuhet në deklaratën e Romës zyrtare.
Ambasadori “peng” i hetimeve
Si shenjë proteste ndaj ritmit të deritanishëm të hetimeve nga pala zvicerane, Italia ka bërë të ditur se Ambasadori i saj nuk do të kthehet në Bernë derisa të shihet vullnet real bashkëpunimi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të vitit 2026 në vendin e njohur si “Constellation” në Crans-Montana. Zjarri, i cili tani cilësohet nga italianët si “masakër”, shkaktoi viktima dhe dëme të mëdha, shumë prej të cilëve dyshohet se janë shtetas italianë.
Edhe gati një muaj pas ngjarjes, turma njerëzish vazhdojnë të mblidhen jashtë rrënojave të “Constellation” për të përkujtuar viktimat, ndërsa presioni për drejtësi po rritet në të dyja anët e kufirit.







