HomeKultureShqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Advertismentspot_img

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event  për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.

Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.

Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.

“Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, hebrenjtë e Shqipërisë u shpëtuan nga përndjekja dhe u mbajtën të sigurt gjatë luftës. Populli shqiptar zgjodhi të shpëtonte jetë të pafajshme duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rudich.

Ndërsa pedagogia dhe deputetja e PS-së, Luarasi kujtoi se holokausti nisi me barcaleta raciste, teori komploti dhe ligje diskriminuese që një pjesë e shoqërisë i pranoi si normale. “Indiferenca është gjithmonë një oksigjen për krime të tilla”, tha Luarasi.

Lidhur me tematikën e Holokaustit, DPA-ja ka prezantuar më herët ekspozita dokumentare dhe fotografike mbi përpjekjet e përbashkëta të shtetit shqiptar, të diplomatëve dhe të autoriteteve fetare, për mbrojtjen e komunitetit hebre nga terrori antisemit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular