Gjykata e Tiranës ka caktuar sot (27 janar) masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje” për 19 protestues që u ndaluan gjatë tubimit të Partisë Demokratike. I pranishëm në hollin e Gjykatës së Tiranës, në mbështetje të protestuesve teksa zhvillohej seanca gjyqësore ishte edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili i quajti akuzat si shpifje.
“Arrestimi i patolerueshëm, kriminal, terrorist, i një 10 vjeçari i cili u mor zvarrë nga 5 narkopolicë të Ilir Prodës, që është një turp për Policinë e Shtetit dhe gjithë shtetin, faktoi përfundimisht se këta të kapur nga frika që i ka pllakosur, nuk dinë më çfarë bëjnë aq sa shoqëruan dhe arrestuan edhe një njeri të vetin, që ishte pjesë e strukturave të PS-së. Sepse këta nën frikën e sovranit nuk shikojnë më nga sytë. I garantoj se për dhunën dhe gazin e hedhur në rrugët e Tiranës, ata do të mbajnë përgjegjësi direkte“, deklaroi Balliu.
Për avokaten Eda Grimci nuk kishte prova speficike që faktonin veprimet penale për protestuesit.
“Pasi u njohëm me dosjet, pamë që nuk kishte asnjë provë ndaj tyre. Bëhej fjalë për prova të marra nga pamje filmike, që nuk kishin lidhje me të arrestuarit. Por edhe kjo ishte vetëm për 5 raste, për 14 raste të tjera nuk kishte as pamje filmike, as foto, por kishte vetëm një raport shërbimi ku në një rast firmosin 4 oficerë policie dhe në një rast 7 vetë dhe këto konsideroheshin si provë. Por këto nuk mund të konsiderohen të tilla, pasi në një vendim të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kundër Shqipërisë, ka saktësuar se masat nuk duhet të tejkalojë faktin dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e ligjshme, dhe nuk mund të kërkohet ‘arrest me burg’ kur nuk ka asnjë provë që fakton veprimin konkret. Bëhej fjalë për dyshime“, theksoi avokatja Edi Grimci në deklaratën para gjykatës.
Protesta e 24 janarit u shoqërua me tensione dhe përplasje të protestuesve me policinë. Ata hodhën sende të forta në drejtim të policisë, ku për pasojë 11 efektivë mbetën të lënduar.
Opozita ka akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë ndaj protestuesve, akuza që u hodhën poshtë nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu. Ajo theksoi se efektivët u përballën me akte dhune gjatë protestës dhe se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me standardet profesionale.







