Jo pak herë, çështjet e sigurisë ushqimore rikthehen në vëmendjen publike përmes alarmeve që ndizen në sektorë të ndryshëm të prodhimit ushqimor. Rasti i aflatoksinës, së zbuluar në disa ferma në zonën e Lushnjës, rihapi edhe një herë diskutimet: a funksionojnë realisht mekanizmat e kontrollit, a zbatohen protokollet e sigurisë ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit dhe sa të mbrojtur janë konsumatorët?
I ftuar në “Wake Up”, për të folur për këto çështje, ishte Ilir Pilku, ekspert i njohur i fushës dhe Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit”. Ai sqaroi së pari situatën që u krijua kryesisht nga ushqimi i kontaminuar i lopëve, që vjen nga Serbia apo kushtet jo të përshtatshme në disa ferma, nga lagështia, si dhe rreziqet e mëdha që sjell aflatoksina, deri dhe në shkaktimin e kancerit. Pilku theksoi se vendimi për ndalimin e mënjehershëm të qumështit, ishte padiskutim masa e duhur, si detyrim ligjor (i ligjit të ushqimit i vitit 2028- i ndryshuar) dhe si përgjegjësi morale ndaj shëndetit të konsuamtorit.
“Ishte një vendim unanim i të gjithë anëtarëve të Shoqatës së Përpunimit të Qumështit se nuk duhet të rrezikojmë sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit tonë, si edhe investimet tona. Duhet të zbatonim ligjin. Fabrika të mëdha, si Lufra, që kanë rreth 15 milionë euro investime, nuk mund të rrezikonin biznesit e reputacionin e tyre, duke shkelur ligjin. Qumështi u refuzua, vetëm tek ajo pjesë e fermerëve që rezultuan me këtë problem dhe jo për të mos u kthyer më. Sepse aflatoksina nëse ndërhyhet, mund të korrektohet brenda 48 orëve. Dua ta theksoj se qëllimi ka qenë vetëm për të shpëtuar tregun. Fabrikat shqiptare mbledhin 22% të qumështit në Shqipëri, volum jashtëzakonisht i lartë, që nëse do të shpërndahej do të bentë dëme të mëdha. Gjithë ky aksion solli një gjë të mirë. Fermerët janë ndërgjegjësuar e korrektuar. Ndërkaq nga takimet që ne si Shoqatë bëmë me AKU-në dhe Minsitrinë e Bujqësisë, u morr vendimi për kontrollimin e rreptë të ushqimit, që vjen nga Serbia dhe u bllokuan disa kamionë pas kësaj mase të ndërmarrë”- sqaroi Pilku.
Më tej ai theksoi se veç aflatoksinës, kompanitë janë udhëzuar të jenë të rreptë në kontrollet e tyre edhe ndaj antibiotikëve dhe qelizave somatike. Fabrikat tona i kanë kapacitetet e këtij vlerësimi në kohë reale. “Lufra për shembull, ka sisteme digjitale dhe të automatizuara të kontrollit të temperaturës dhe higjienës si dhe laboratorë të brendshëm për analiza të përditshme. Bën trajnime të vazhdueshme të stafit të cilësisë dhe jane vlerësuar me certifikimeve ISSO 22000. Ka linja moderne përpunimi automatike, kryesisht linja prodhimi Gjermane, Italiane dhe Suedeze. Dhe të gjitha këto investime bëhen jo thjesht për përfitime të biznesit por sidomos për garantimin e sigurisë ushqimore”.
Lidhur me një nga diskutimet e vazhdueshme: importi i qumështit, Pilku sqaroi se bëhet vetëm kur është i domosdoshëm dhe sigurohet nga burime të certifikuara europiane. “Parimi i unionit është: Një BE = një treg. Jemi të njëjtë me një përpunues në Gjermani apo Itali. Do të kemi edhe ne kuota prodhuese. Nuk mund të prodhosh më shumë se ‘x’ litra, pjesën tjetër do te duhet ta marrësh nga tregu europian. Edhe Italia, pavarësisht fuqisë prodhuese, është e detyruar që vetëm 60–70% të lëndës së parë ta prodhojë në vend, pjesën tjetër ta marrë nga Austria apo Gjermania. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për Shqipërinë.”- shpjegon Pilku.
Sipas tij, kjo kërkon një ndryshim qasjeje edhe nga vetë blegtorët, drejt rritjes së standardeve dhe konkurrueshmërisë. Pyetjes se si do t’ia dalë blegtori shqiptar në kushtet e mungesës së mbështetjes shtetërore, Pilku i përgjigjet duke theksuar rolin që industria e qumështit ka luajtur në zhvillimin e sektorit, konkretisht Lufra e cila së bashku me kompani të tjera e kanë diferencuar prodhimin shqiptar përtej standardeve rajonale.
“Një pjesë e zhvillimit që kanë pasur blegtorët ka ardhur falë industrisë së qumështit, falë këtyre fabrikave të mëdha që shpesh edhe baltosen. Lufra ka investuar rreth 300 mijë euro për blegtorët, duke dhuruar 50 tanke ftohëse për grumbullimin e qumështit. Kjo shmang mbajtjen e qumështit në enë të papërshtatshme dhe garanton cilësinë përmes kontrollit të temperaturës. Po ashtu ka investuar në rritjen e numrit të krerëve. Ke një sistem pranimi të qumështit të nivelit të lartë, një sistem prodhimi të nënprodukteve që nuk e gjen as në Itali. Asnjë fabrikë në Ballkan nuk i afrohet kompanive tona. Kanë bërë revolucion në ruajtjen e produktit dhe në sistemin e shpërndarjes.” thekson Pilku.
Rasti i Lufrës, sipas industrisë, duhet parë si shembull i funksionimit të mekanizmave të kontrollit dhe reagimit në mbrojtje të konsumatorit. Në një sektor ku siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik, transparenca, standardet dhe përgjegjësia mbeten elementë kyç për ndërtimin e besimit mes industrisë, blegtorëve dhe konsumatorëve.







