HomeOP EDProtesta e radhës nuk ia tundi këmbët fronit të Ramës…XHEVAT MUSTAFA

Protesta e radhës nuk ia tundi këmbët fronit të Ramës…XHEVAT MUSTAFA

Advertismentspot_img

XHEVAT MUSTAFA

Edhe pse në fund ca më radikale dhe agresive se të mëparshmet nga përballja me forcat e shtuara të policisë dhe atyre speciale si dhe nga sulmet mbi godinën e Kryeministrisë, të Ministrisë së Brendshme, të Parlamentit, ashtu siç kisha parashikuar dhe prisja, u nis dhe bitis, siç pritej edhe protesta e 24 janarit 2026 apo e radhës mbi 10-vjeçare gjatë 3 mandateve të shkuar të Rama-qeverisjes… Pa e harruar dhe pa e zvogëluar aspak efektin e sensibilizimit ndërkombëtar dhe të rrëmihjes në themelet e “piramidës Rama” si dhe pa u dehur apo ekstazuar nga jehona ndërkombëtare, mund të thuhet se edhe kjo ishte shumë larg nga protestat e këtyre dy muajve në Athinë dhe Teheran si dhe asaj “të famshmes”, të PS-së më 21 janar 2011 në Tiranë apo të 8 dhjetorit 2024, në Siri!? Apo, në mënyrë figurative dhe popullorçe, këto protesta të opozitës, për nga kohëzgjatja dhe “ngrohtësia shpirtërore” e demokratëve dhe opozitarëve, mund të krahasohen edhe me zjarret që përftohen nga degëzat e pishës!

Mes fishekzjarrëve, dritave të celularëve, muzikës shurdhuese si dhe flamurëve, si për festë, nga një tribunë, që përgjithësisht “i varros për së gjalli” protestat e vërteta, të sinqerta dhe spontane, u mbajtën ca fjalime në kuadrin e një konkursi 12-vjeçar oratorie (fjalimesh) dhe sfilate kostumesh, pardesysh, palltosh, xhupash. Njëherazi, u sha dhe kërcënua me shashka fjalësh dhe molotovësh kryeministri Rama dhe qeveria e tij, pa qenë të sigurt se ishin nëpër kabinete me shumë salltanete, në Tiranë apo nëpër vila e nëpër shtëpi, të cilave nuk ua di numrin e saktë asnjeri…! Pastaj, pasi humbën një ditë të tërë (ata ardhur me shpenzimet e tyre nga rrethet) ose një mbrëmje familjare, ata banues në Tiranë e në qytezat dhe fshatrat përreth saj, protestuesit u shpërndanë për të shkuar në shtëpitë e tyre!

Natyrisht, ashtu si në protestat e mëparshme, me duar në xhepa dhe me sy e shpresa nga Amerika dhe Donald Trump, natyrisht, kur ata të gjejnë kohë që të merren edhe me Shqipërinë e jo, si prej të paktën, 81 vitesh, tek vetvetja…! Edhe të zhgënjyer jo pak nga skenari i protestës dhe përfundimi i zakonshëm apo i moçëm, edhe i kësaj… Edhe më keq, disa protestues, edhe fëmijë e adoleshentë, gjatë largimit nga sheshi i protestës u sulmuan egërsisht nga tufa policësh të Rama-qeverisë, ngjashëm si kolegët e tyre në Moskë, Beograd, Teheran…! Qëllimi është i lehtë kuptueshëm: të mos marrin më pjesë në protesta e të mos bëjnë më as aq pak sa bënë më 24 janar 2026! Nga shtabi organizues dhe drejtues i protestës, ashtu si të mëparshmet, edhe kjo e 24 janarit 2026 u vlerësua apo u quajt e suksesshme. Se ia arriti qëllimit, kapur kryesisht tek pjesëmarrja masive, nga lumi apo deti i protestuesve, “duke harruar” se edhe lumenjtë dhe detrat, sidomos në periudha dimri e vjeshte, tërbohen dhe përmbysin qytete e çfarë kanë përpara!? Gjithsesi dhe fatkeqësisht, në mënyrë figurative dhe popullorçe, mund të thuhet “Iku dhe protesta e radhës, as nuk iu tundën këmbët e veta e të fronit, Edi Ramës…!”.

Nga ana e tyre, domethënë e frontit socialistorilindas, Edi Rama me shoqe e shokë, merret me mend se i kanë ndjekur jo në frikësim deri në panik, po më shumë me vështrime dhe buzëqeshje ironike apo tallëse protestuesit, sidomos ata që flisnin në tribunë, bukur për nga frazeologjia dhe shprehja, por pa shkaktuar tek “brigada” e Ramës, rrebesh e furtunë…! Duke ua njohur mirë natyrat, karakteret, mendësitë, arrogancën, mendjemadhësinë…, nuk përjashtohet të kenë menduar dhe thënë me vete ose njëri-tjetrit: “protestat e Berishës janë si zjarret prej degëzave të pishës! Prandaj, sa të jetë gjallë Sali Berisha me ca shoqe e shokë, që mezi presin nga ne leje ndërtimi, tendera, koncesione për vete, motra e vëllezër, kunetër, dhëndurë… apo Reformën Zgjedhore si dhe mandatin e senatorëve, ne do të jemi në pushtet shumë gjatë! Sepse, me protesta si këto të këtyre viteve të fundit nuk rrezikohemi dhe shqetësohemi fort dhe gjatë, sa të ndërpresim qejfet, orgjitë, projektet, pazaret dhe llogaritë tona… e të na prishet gjumi, pas disa gotave verë të mirë e të shtrenjtë e të ndonjë doze borë të bardhë…!”. Logjikshëm Berishës, duke u mbështetur tek fjalimi i tij si të qëmotit, shkuar të gjithë kotit, mund t’i bëhen nga shumëkush që dëshiron, të paktën dy pyetje:

1-Ku është ekzaktësisht “kilometri i fundit” e kur do të arrihet në krye të tij, në metrin e fundit…?

2- Si e koncepton ai “triumfin e madh”? Vetëm me sigurimin prej tij dhe të disa prej drejtuesve të PD- së, që janë mplakur pranë dhe pas tij, të statusit, mandatit dhe të privilegjeve të “senatorëve”…? Qofsha i gabuar, por mendoj apo më saktë kam bindjen, se me një protestë në muaj, Edi Rama me tufën e vet të partiakëve dhe pushtetarëve të tri niveleve të qeverisjes, për të keqen e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke u nxirë atyre edhe më shumë vendin dhe jetën, e shtyjnë në fronet e pushtetit, gjatë, lag qoftë, jo me vite…!

Megjithatë, me dëshirën maksimale për përmbylljen me sukses dhe fitore të opozitës “së djathtë”, edhe me protesta si këto të këtyre viteve, domethënë rrallë e për mall, përsëri nuk mund të mendohet dhe flitet për fitore të plotë e të vërtetë, me kodin zgjedhor aktual e me dy ushtritë, që ka PS-ja apo “e majta”! Për të mos lejuar më masakrat dhe “fitoret” zgjedhore, që përjetojmë prej rreth 35 vitesh, sidomos pas Kodit zgjedhor Berisha-Rama të vitit 2008, janë bërë urgjente e të domosdoshme një reformë e re në legjislacionin zgjedhor dhe në ndarjen apo hartën territoriale! Por, sipas gjykimit tim, edhe më shumë se këto është e ditës dhe e domosdoshme departizimi apo depolitizimi i administratës. Sidomos mandatet e dytë, të tretë e të katërt Ramës me tufën e tij të partiakëve dhe pushtetarëve të lartë, ua ka dhuruar “fitoret” dhe fronet, administrata, e rritur prej tyre si numër apo shifër 3 fish në krahasim me 2013.

Është bërë e qartë dhe është kuptuar se kjo tejfryrje është menduar dhe legalizuar me llogarinë e pistë se çdo punonjës administrate, për të ruajtur vendin e vet në zyrat e qeverisë e të shtetit, detyron të votojnë për “të majtën” bashkëshortë, prindër, vjehërr e vjehrra, vëllezërit, motrat, kunetërit…! Kuptohet se një “fitore” e tillë është e pistë, e pandershme, e turpshme, e dënueshme… Plus, kësaj ushtrie prej rreth 215 mijë vetë në administratë, që për ditë zgjedhjesh i siguron, e pakta 500.000 vota, Rama ka sajuar arbitrarisht dhe paguan me paga e shpërblime, edhe një strukturë tjetër me rol të ndjeshëm këto vitet e fundit në jetën e vendit dhe për mbijetesën sa më gjatë të tij në pushtet, atë të patronazhizmit!? Kështu, për krerët e opozitës, në bisedimet me Edi Ramën dhe me krahët apo “kukullat” e tij, është e domosdoshme të këmbëngulin pa asnjë lëshim e tërheqje pikërisht për zhdukjen e patronazhizmit e për depolitizimin rrënjësor të administratës! Përndryshe: Edi Rama me shoqe e shokë rrëmbejnë mandatin e pestë dhe atyre u shkaktojnë humbjen e pestë. Pa asnjë diskutim dhe dyshim, kjo humbje do të ishte më shumë se gjëmë kombëtare për Shqipërinë dhe për SHQIPTARËT!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular