Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se NATO ka nevojë për një rikonceptim, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e misionit të Aleancës, por për përshtatjen e kapaciteteve dhe mjeteve të saj ndaj sfidave të reja.
Në një deklaratë tjetër, Rubio u shpreh se Shtetet e Bashkuara ndodhen “në një pikë të mirë” sa i përket çështjes së Groenlandës, duke shtuar se është në zhvillim një proces që, sipas tij, “do të çojë në një rezultat të mirë për të gjithë”.
I pyetur për vlerësimet e Departamentit të Shtetit mbi numrin e viktimave gjatë protestave në Iran, Rubio tha se bëhet fjalë “me siguri për mijëra të vdekur”. Ai shtoi se, edhe pse protestat aktualisht duken të fashitura, ato pritet të shpërthejnë sërish në të ardhmen.
Duke folur për Venezuelën, Rubio deklaroi se SHBA-të janë “shumë më përpara nga sa pritej” në planin për këtë vend. Ai tha se Uashingtoni ka bërë përpjekje të shumta për ta bindur presidentin Nicolás Maduro të largohej vullnetarisht nga pushteti, por theksoi se “nuk është një person me të cilin mund të arrihet marrëveshje”.
Gjatë dëshmisë në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, Rubio tha se SHBA-të tashmë kanë komunikim “shumë të mirë dhe produktiv” me udhëheqësit tranzitorë të Venezuelës, pas operacionit ushtarak për arrestimin e Maduron më herët këtë muaj. Ai shprehu gjithashtu pritshmërinë që së shpejti të hapet një mision diplomatik amerikan në Venezuelë.
Rubio bëri të ditur se nga 500 milionë dollarë të ardhura nga shitja e naftës, rreth 200 milionë dollarë mbeten në një llogari, ndërsa 300 milionë dollarë kanë kaluar te qeveria e Venezuelës. Ai theksoi se SHBA-të nuk po shpenzojnë fonde në Venezuelë, përveç kostove për hapjen e ambasadës, dhe se do të nevojiten disa leje nga OFAC për të ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë së vendit.







