Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka gati kalendarin artistik për vitin 2026. Në fokus të këtij sezoni janë tetë premiera të reja, katër prej tyre të dedikuara për fëmijë dhe katër për publikun e rritur.
Gjergj Prevazi, drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, tregon se repertori i ri synon të ndërtojë një raport më të fortë me publikun, duke e parë teatrin jo vetëm si argëtim, por edhe si mjet edukimi dhe formimi kulturor.
Muaji janar solli premierën e parë për vitin 2026, dramën “Djali”, e cila pati shumë sukses. Muaji shkurt do të vijë në Teatrin Kombëtar Eksperimental me të tjera vepra, të cilat premtojnë të mbajnë të mbërthyer publikun artdashës.
“Shkurti, megjithëse është muaji më i shkurtër i vitit, për ne nuk është edhe aq i shkurtër, pasi axhenda jonë është goxha e ngarkuar këtë muaj. Këtë javë vijojmë me ‘I huaji’, javën e ardhshme rikthejmë në skenë ‘Babain’, ndërsa dy javët e fundit do të vijojmë sërish me ‘Djalin’”, tha Prevazi.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e Teatrit Eksperimental mbetet integrimi i të rinjve, si në nivel interpretimi, ashtu edhe në krijim. Ndaj ky institucion vijon të hapë dyert për aktorë të rinj, regjisorë dhe dramaturgë, duke i dhënë zë ideve të brezit të ri. Paralelisht me këtë qasje, dramaturgjia shqipe mbetet prioritet, me vepra që do të vihen në skenë për herë të parë ose do të rivizitohen në forma bashkëkohore.
“Teatri Eksperimental ka pasur gjithmonë në fokus të rinjtë, por edhe aktorët e karrierës, për të gërshetuar më mirë traditën me risitë, eksperiencën me energjinë rinore”, nënvizoi Prevazi.
Me këtë kalendar artistik, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” synon të ruajë identitetin e tij si hapësirë eksperimentimi, reflektimi dhe formimi kulturor, duke e vendosur teatrin në dialog të vazhdueshëm me shoqërinë dhe brezat e rinj. RTSH







