Kredia e re për ekonominë u rrit përsëri me ritme dyshifrore dhe arriti një rekord të ri historik vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti në 436.6 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me vitin 2024.
Në veçanti, muaji dhjetor 2025 shënoi një shifër rekord të kredisë prej 62.3 miliardë lekësh. Kjo shifër është 30% më e lartë krahasuar me dhjetorin e një viti më parë dhe përfaqëson njëkohësisht një vlerë rekord të vlerës mujore të kredisë së re.
Për vitin 2025, kreditimi u rrit me ritme më të larta në segmentin e individëve. Bankat dhanë pothuajse 127 miliardë lekë kredi të reja në këtë segment, me një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2024.
Kreditimi i individëve ka vijuar të rritet me ritme të larta, si në segmentin e kredisë për shtëpi, ashtu edhe në atë të kredisë konsumatore. As masat e reja të aplikuara nga Banka e Shqipërisë duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2025 nuk kanë sjellë rezultate të dukshme në drejtim të ngadalësimit të huadhënies në këtë segment.
Kreditimi në segmentin e ndërmarrjeve private u rrit gjithashtu me ritme dyshifrore, por më të ngadalta në raport me individët. Gjatë vitit 2025, sektori bankar disbursoi gjithsej 296 miliardë lekë kredi për bizneset, shifër kjo në rritje me 10.2% krahasuar me vitin 2024. Kredia për biznesin shënoi një tendencë në rritje të fortë sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit. Në veçanti, për dhjetorin bankat dhanë 46 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, 32% më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.
Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve. Vetëm gjatë muajit dhjetor, vlera e portofolit u rrit me më shumë se 18 miliardë lekë. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024.
Edhe në tepricën e portofolit rritja më e lartë po regjistrohet në segmentin e individëve, me 19.2% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2024.
Ndërkohë, kredia në segmentin e biznesit u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Kredia për biznesin vazhdon të jetë dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, me rreth 55% të portofolit.
Sipas monedhës, rritja e kredisë për ekonominë vazhdon të jetë e përqendruar në masën më të madhe te Leku. Portofoli i kredisë në Lekë u rrit me 16.5% krahasuar me një vit më parë. Tashmë, vlerësohet se kredia në Lekë përbën afërsisht 60% të portofolit të kredisë për ekonominë.
Megjithatë, edhe kredia në valutë është rritur me ritme dyshifrore, duke u zgjeruar me 10% krahasuar me një vit më parë. Portofoli i kredisë në valutë vazhdon të ndikohet negativisht nga efekti i kursit të këmbimit, por ky efekt ishte më i vogël gjatë vitit 2025.








