HomeEkonomiNë vitet 2014-2024, Shqipëria shmangu gati 500 milionë euro humbje duke fituar...

Në vitet 2014-2024, Shqipëria shmangu gati 500 milionë euro humbje duke fituar 7 Arbitrazhe

Advertismentspot_img

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar gjetjet mbi veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit lidhur me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar, ku Republika e Shqipërisë ka rezultuar palë fituese në shtatë procese gjatë periudhës 2014–2024.

Sipas auditimit, vendimet e arbitrazhit në favor të shtetit shqiptar kanë parandaluar një dëm potencial prej rreth 499.7 milionë euro, duke shmangur pagesa të konsiderueshme dëmshpërblimesh ndaj kompanive të huaja. Kjo vlerë konsiderohet nga KLSH si “dëm i parandaluar” për buxhetin e shtetit.

Rimbursime dhe përfitime financiare

Nga shtatë vendimet e fituara, tribunalet ndërkombëtare kanë vendosur në favor të Shqipërisë rimbursimin e kostove dhe shpenzimeve procedurale në shumën totale 8,971,593 euro. 1,565,791 USD dhe 108,551 GBP, si edhe 6,821,710 euro dëmshpërblime.

Veçanërisht në dy çështje të njohura tashmë nga Gjykata e Apelit, shteti shqiptar ka fituar të drejtën për të përfituar shuma të konsiderueshme nga palët paditëse, përfshirë penalitete, dëmshpërblime dhe kosto gjyqësore.

Në çështjen ICSID ARB/14/26, pala paditëse është detyruar t’i paguajë Shqipërisë mbi 2.4 milionë euro, 837 mijë USD dhe 106 mijë GBP për shpenzime procedurale. Ndërsa në një tjetër çështje ICC, Shqipëria ka përfituar mbi 6.8 milionë euro në dëmshpërblime dhe penalitete.

Kosto të larta për mbrojtjen ligjore

Megjithëse shteti ka dalë fitues në të gjitha këto procese, auditimi evidenton se mbrojtja ligjore ka pasur një kosto të konsiderueshme për buxhetin publik.

Vetëm për periudhën 2014–2024, institucionet shqiptare kanë shpenzuar rreth 6.4 milionë euro, 1.56 milionë dollarë dhe 108,550 paund, që në total përkthehen në rreth 7.9 milionë euro, për avokatë ndërkombëtarë, ekspertë, tarifa tribunali, përkthime, transkriptime dhe shpenzime të tjera procedurale.

Këto shpenzime janë mbuluar nga disa institucione, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë e Prokurimeve, MBZHR, AKBN dhe Avokaturën e Shtetit.

Në çështjen e Patos-Marinzës, për shembull, shteti ka paguar mbi 2.6 milionë euro dhe 224 mijë USD vetëm për shpenzime gjyqësore, ndërsa në një tjetër arbitrazh pranë PCA, kostot kanë kaluar 1.5 milionë euro.

Probleme me ekzekutimin e vendimeve

KLSH evidenton gjithashtu se vetëm dy nga shtatë vendime janë njohur dhe kanë marrë fuqi ligjore nga Gjykata e Apelit deri në fund të vitit 2024. Pesë vendime të tjera, ndonëse në favor të Shqipërisë, ende nuk janë të ekzekutueshme për shkak të vonesave në procedurat gjyqësore.

Në disa raste, institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë masa në kohë për ekzekutimin e vendimeve të njohura, duke rrezikuar mosarkëtimin e të drejtave financiare të fituara.

Sipas KLSH, kjo situatë sjell pasqyrim jo të saktë të të drejtave dhe detyrimeve në pasqyrat financiare të shtetit dhe rrezikon humbjen e përfitimeve të fituara me vendim gjykate.

Raporti rekomandon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, përshpejtimin e procedurave të njohjes dhe ndjekjen më rigoroze të arkëtimit të detyrimeve, me qëllim që përfitimet e fituara në arbitrazh të përkthehen realisht në të ardhura për shtetin shqiptar./ekofin.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular