Nga Agron Haxhimali
1- Objektiv i paqartë publik, më i qartë politik
Reforma e vitit 2014 u shoqërua me një narrativë publike të paqartë mbi qëllimet reale të saj, ndërkohë që objektivat politike ishin më të lexueshme sesa ato institucionale. Kjo krijoi konfuzion dhe dobësoi besimin publik që në fazën e parë të procesit. Një reformë e re duhet të ketë objektiva të qarta, të matshme dhe të kuptueshme për qytetarët, jo vetëm për aktorët politikë.
2-Prezantimi i shumë opsioneve – konfuzion dhe relativizim i identitetit
Prezantimi i reformës me pesë opsione të ndryshme u perceptua si një proces jo serioz, duke krijuar ndjesinë se kufijtë dhe identitetet territoriale janë të lëvizshme dhe të pasigurta. Kjo qasje relativizoi identitetin lokal dhe e dobësoi ndjenjën e përkatësisë. Proceset reformuese duhet të ofrojnë alternativa reale, por të arsyetuara qartë, jo skenarë që krijojnë pasiguri.
3-Mungesa e opozitës – gabim politik dhe publik
Mos-pjesëmarrja e opozitës ishte një gabim politik për vetë opozitën, por edhe një humbje për interesin publik dhe cilësinë e reformës. Reformat territoriale kërkojnë përfshirje të gjerë politike, sepse ndikojnë strukturën e shtetit përtej mandateve qeverisëse.
4- Reforma e njëanshme u perceptua si reformë partie
Një reformë e ndërmarrë në mënyrë të njëanshme u perceptua jo si reformë kombëtare apo shtetërore, por si reformë e forcës politike në pushtet. Kjo e dobësoi legjitimitetin e saj dhe e bëri të kontestueshme në kohë. Reformat territoriale duhet të kenë pronësi të përbashkët politike dhe institucionale.
5-Paqartësi ligjore dhe institucionale në zbatim
Zbatimi i reformës u shoqërua me paqartësi ligjore dhe institucionale, veçanërisht në ndarjen e kompetencave, funksioneve dhe përgjegjësive mes nivelit qendror dhe vendor. Një reformë e re duhet të sigurojë qartësi normative dhe siguri institucionale që në fazën e zbatimit.
6- Patronazhim i panevojshëm dhe mungesë autonomie reale
Reforma u shoqërua me një patronazhim të tepruar nga qeveria qendrore, duke i mbajtur bashkitë në një gjendje varësie të vazhdueshme (“baby on board”). Kjo pengoi rritjen e autonomisë vendore dhe zhvillimin e lidershipit dhe menaxhimit lokal. Pushteti vendor duhet të fuqizohet, jo të zëvendësohet nga qendra.
7-Bashki më të mëdha, por jo shërbime më të mëdha
Efekti i “bashkisë së madhe” nuk u përkthye në rritje të cilësisë dhe shtrirjes së shërbimeve, por në zvogëlim të përfaqësimit dhe humbje të vëmendjes ndaj zonave rurale. Madhësia territoriale nuk garanton automatikisht eficiencë shërbimesh pa mekanizma përfshirës.
8- Centralizim brënda bashkive
Ndërsa bashkitë kërkonin decentralizim nga qeveria qendrore, ato vetë nuk e deleguan pushtetin brenda territorit të tyre. Pushteti mbeti i përqendruar në qendrat urbane, duke e bërë qeverisjen lokale të largët për komunitetet periferike. Një reformë e re duhet të adresojë decentralizimin brenda vetë bashkive.
9-Instrumentalizimi politik i bashkive
Përdorimi i ashpër politik i bashkive bëri që ato të humbnin autoritetin si institucione të pavarura dhe të zgjedhura drejtpërdrejt. Bashkitë u perceptuan më shumë si zgjatime të qeverisë për shërbime komunale dhe të partive politike për shërbime elektorale. Kjo cenoi rolin e tyre demokratik dhe institucional.
10-Bojkoti zgjedhjeve të 30 qershori 2019-mbytje e debatit publik dhe alternativave lokale
Kriza politike dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit mbyti debatin dhe alternativat brenda këshillave bashkiakë. U krijua një përqendrim i tepruar i pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në nivel vendor, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe balancës mbi përdorimin e burimeve publike.
11-Vizion i paqartë për fazat e decentralizimit
Qeveria nuk artikuloi qartë fazat dhe drejtimet e decentralizimit të funksioneve, duke krijuar pasiguri mbi rolin dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor. Një reformë e re duhet të shoqërohet me një vizion të qartë, të fazuar dhe të monitorueshëm të decentralizimit funksional dhe fiskal.
Konkluzion
Reforma territoriale e ardhshme duhet të ndërtohet mbi këto mësime, duke kaluar nga reformë e njëanshme dhe e centralizuar, në një proces konsensual, të qartë dhe fuqizues për pushtetin vendor, me qëllim forcimin e demokracisë lokale dhe shërbimeve për qytetarët.







