Ofruesit e shërbimit të internetit duhet të përcaktojnë në kontratën e shërbimit edhe shpejtësinë minimale për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave.
Një detyrim i tillë parashikohet në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, i miratuar në fund të vitit 2024 dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) e ka përfshirë në rregulloren e re për “Përcaktimin e modelit të përmbledhjes së kontratës për t’u përdorur nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.
Sipas anekseve të rregullores, për shërbimin e aksesit në internet në rrjet fiks në kontratë duhet të përfshihet shpejtësia minimale, normalisht e disponueshme dhe maksimale e shkarkimit dhe ngarkimit, ndërsa në rastin e rrjeteve celulare do përfshihet shpejtësia maksimale e vlerësuar e shkarkimit dhe ngarkimit të shërbimit të aksesit në internet.
Deri më sot, shpejtësia e përcaktuar në kontratat e shërbimit të internetit me linja fikse i referohet shpejtësisë maksimale, përkatësisht për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave.
Por, në praktikë, shpejtësia reale e internetit është e ndryshueshme dhe shpeshherë larg asaj maksimale të parashikuar në kontratë. Tashmë, kuadri i ri ligjor përcakton edhe detyrimin për të specifikuar një shpejtësi minimale të lidhjes.
Gjithashtu, ligji parashikon se, çdo mospërputhje e rëndësishme, e vazhdueshme ose e përsëritur rregullisht, midis cilësisë aktuale të shërbimit të aksesit në internet dhe asaj të parashikuar në kushtet e kontratës do të konsiderohet se përbën mospërputhje të performancës për qëllime të nxitjes së mjeteve juridike të disponueshme për konsumatorin, në përputhje me legjislacionin kombëtar. Një parashikim i tillë synon të mbrojë konsumatorin, në rastet kur operatori nuk ofron atë cilësi shërbimi të parashikuar në kontratë.
Sipas të dhënave më të fundit nga AKEP, numri i abonentëve të internetit me linja fikse në fund të muajit shtator 2025 arriti në rreth 710 mijë, në rritje me 2.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu i internetit nga linjat fikse vazhdon të ndjekë një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke ngushtuar pjesërisht prapambetjen në depërtimin e linjave fikse të komunikimit.
Tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh. Operatorët e kanë rinovuar gradualisht infrastrukturën drejt teknologjive më të reja, të fibrës optike, që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.
Sipas të dhënave më të fundit për shpejtësinë e internetit, në fund të vitit 2024, rreth 84% e pajtimtarëve kishin linja me shpejtësi më të madhe se 30 Mbps (megabit për sekondë), nga 69% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps, nga 28% që kishte qenë ky tregues për vitin 2023.
Gjithmonë duke iu referuar shifrave të 2024, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike./ Monitor







