Në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, u çel sot, ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë (1925-2025)”, një nismë kulturore dhe edukuese që sjell për publikun historinë e parasë shqiptare dhe të bankës qendrore përgjatë një shekulli.
Ekspozita organizohet në një moment me simbolikë të veçantë, në intervalin mes dy përvjetorëve të rëndësishëm të historisë sonë institucionale: 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë (1925) dhe 100-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare shqiptare (1926). Zgjedhja e Prishtinës si ndalesë e kësaj ekspozite pasqyron historinë e përbashkët dhe lidhjet e thella institucionale, kulturore dhe ekonomike ndërmjet shqiptarëve.
Ceremonia e çeljes u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Më pas, u zhvillua prezantimi i ekspozitës nga ekipi i Bankës së Shqipërisë dhe vizita e përbashkët në hapësirën ekspozuese.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se ekspozita synon të tregojë jo vetëm historinë institucionale të Bankës së Shqipërisë, por edhe historinë e përditshmërisë së qytetarëve: si janë paguar, si kanë kursyer, si kanë përballuar kriza dhe si kanë ndërtuar stabilitetin dhe mirëqenien ekonomike ndër breza. Ai vuri në dukje se monedhat dhe kartëmonedhat, përveç vlerës së shkëmbimit, mbartin simbole, trashëgimi dhe identitet, duke pasqyruar historinë e shtetit, ekonominë dhe besimin publik.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se paraja është simbol i besimit, rendit institucional dhe i vet shtetit përveçse mjet shkëmbimi.
“Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë ndërtuar nivel bashkëpunimi që në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përben nivelin më të lartë”, tha Kurti.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili u shpreh se kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë sonë ekonomike, shoqërore dhe institucionale.
“Hapja e saj në Prishtinë përkon me javën kur do të shënojmë 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, ekspozita ‘Paraja rrëfen’ synon të nxisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore, si dhe për rëndësinë e stabilitetit financiar”, tha Ismaili.
Ekspozita shpalos rrugëtimin e parasë dhe të bankës qendrore shqiptare në tri epoka kryesore historike, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike, nga standardi i arit dhe ekonomia e planifikuar, deri te kornizat moderne të politikës monetare të orientuara drejt stabilitetit të çmimeve. Një vend të veçantë zë edhe fondi i pasur dokumentar, i mbështetur në arkivat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë dhe të Arkivit të Shtetit Italian në Romë, që dëshmon edhe veprimtarinë e Bankës Kombëtare të Shqipnis në qytete të ndryshme të Kosovës në fillim të viteve ’40.
Përmes kësaj ekspozite, Banka e Shqipërisë synon që historia të mos mbetet vetëm për t’u parë, por edhe për t’u kuptuar dhe përjetuar, si një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi financiar. Në një kohë kur vendimmarrja financiare bëhet gjithnjë e më komplekse dhe teknologjia po transformon mënyrën e pagesave, kultura financiare dhe besimi në institucione mbeten elemente kyç të stabilitetit dhe mirëqenies shoqërore.
Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë” në Prishtinë realizohet falë bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve institucionalë e kulturorë, ndër të cilët Instituti Italian i Kulturës. Ajo përbën një shembull të shkëmbimeve kulturore dhe institucionale që forcojnë lidhjet rajonale dhe ndajnë me publikun një histori të përbashkët shqiptare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 shkurt në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prishtinë.







