/nga Doriana Musai
Ndërkohë ministri që drejton sektorin është i pandehur për pabarazi në tendera. Dhe pritet që ta konsiderojmë këtë si një çështje të shkëputur nga cilësia e veprës që u shemb para syve tanë, duke izoluar juglindjen e vendit.
Nuk është e shkëputur.
Sepse një korridor europian nuk është vetëm beton dhe asfalt. Është arkitekturë institucionale. Është mënyra si hartohet strategjia. Si ndahen fondet. Si zhvillohet gara. Si mbikëqyret zbatimi. Kur ky zinxhir nis me hije, edhe rezultati mbetet nën hije, dhe çdo investim, sado i madh, humbet kredibilitetin e tij.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë që shembet. Po flasim për Korridorin VIII, aks që synon të lidhë Europën perëndimore me atë lindore duke kaluar përmes zemrës ekonomike të Shqipërisë. Çdo dëmtim, çdo vonesë, çdo dyshim procedural në një projekt të tillë nuk është episod teknik — është cenim i besueshmërisë së një orientimi strategjik.
Pastaj flasim për integrim europian.
Por integrimi nuk është çështje kilometrash. Është çështje standardi. Nëse projekti që duhet të na lidhë me Europën ndërtohet mbi procedura të dyshuara, atëherë problemi nuk është gjeografia, as moti, as Zoti. Është qeverisja.
Dhe kur vetë qeverisja vihet nën akuzë nga drejtësia, projekti nuk mbetet neutral. Ai bëhet i brishtë. Jo vetëm teknikisht, por institucionalisht.
Europa nuk na mban larg.
Ne e mbajmë veten larg sa herë që ngatërrojmë zhvillimin me propagandën dhe standardin me interesin e ngushtë.
Integrimi europian matet me profesionalizmin në zbatimin e projekteve strategjike. Matet me seriozitetin e procedurës. Matet me standardin institucional që u jep kuptim kilometrave që ndërtojmë.
Dhe pikërisht këtu vendoset diferenca.
*Harta e rrjetit të korridoreve europiane (TEN-T) tregon qartë densitetin e lartë të lidhjeve infrastrukturore në Europën Qendrore dhe Perëndimore, ndërsa Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, shfaqet si nyje periferike me integrim të fragmentuar.







