nga Pal Nikolli
Ka vite që në ekranet tona shfaqen pamje të njëjta: rrugë të çara nga rrëshqitjet e shpateve, fshatra të izoluar nga shembjet e dherave, tunele me probleme strukturore, investime miliona euro që degradojnë para se të amortizohen. Çdo herë justifikimi është i gatshëm: reshje të pazakonta, terren i vështirë, “forca madhore”. Por pyetja thelbësore mbetet: a janë vërtet këto vetëm fatkeqësi natyrore, apo janë pasoja të drejtpërdrejta të papërgjegjshmërisë njerëzore?
Infrastruktura nuk ndërtohet me improvizim. Ajo kërkon studime gjeologjike të detajuara, projekte të hartuara sipas standardeve, mbikëqyrje profesionale dhe zbatim rigoroz. Kur një rrugë rrëshqet pas dy apo tre vitesh, kur një digë shfaq defekte, kur një segment malor shembet pas reshjeve të para intensive, problemi nuk është vetëm te natyra; është te vendimmarrja, te projektimi, te kontrolli.
Më dramatike është heshtja institucionale. Rrallëherë publikohen ekspertiza të plota teknike. Rrallëherë bëhen transparente përgjegjësitë individuale.
Rrallëherë dëgjojmë për ndëshkime konkrete. Kështu krijohet një kulturë e rrezikshme normalizimi: dështimi pranohet si rutinë, fondet shtesë justifikohen si “riparime”, ndërsa cikli i gabimeve vazhdon.
Një plagë e thellë është shkatërrimi i instituteve të projektimit, strukturave që dikur përfaqësonin memorien teknike të vendit. Ato ishin laboratorë ekspertize, shkolla inxhinierike dhe garanci cilësie. Sot, fragmentarizimi i projektimit, tenderët e orientuar nga kriteri më i ulët financiar dhe mungesa e standardeve të unifikuara prodhojnë infrastruktura pa qëndrueshmëri.
Kostoja nuk është vetëm ekonomike. Është mjedisore dhe njerëzore. Rrëshqitjet shkatërrojnë ekosisteme, izolimet prekin jetën sociale dhe ekonomike të komuniteteve, ndërsa rreziku për jetën mbetet gjithmonë i pranishëm. Çdo projekt i keqzbatuar është një faturë e shtyrë për të ardhmen.
Shteti matet nga mënyra si ndërton dhe si mban përgjegjësi. Nëse hallkat e zinxhirit, projektuesi, mbikëqyrësi, zbatuesi, autoriteti kontraktues, nuk japin llogari, atëherë problemi nuk është teknik; është sistemik.
Infrastruktura që rrëshqet është pasqyra e një shteti që lëviz mbi terren të paqëndrueshëm institucional. Dhe nëse nuk rivendosim standardin, transparencën dhe përgjegjësinë, çdo investim i ri do të mbetet një bast i rrezikshëm me sigurinë dhe të ardhmen tonë.







