Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se aplikimet për projektin LIFT Tower janë shtyrë deri më datën 19 mars.
E shpallur për herë të fundit në 30 janar thirrje parashikonte që subjektet të dorëzonin aplikimet deri më 5 mars por kjo tashmë ka ndryshuar.
LIFT Tower mbart pas vetes një sërë shpalljesh dhe dështimesh për shkak të mungesës së interesit diçka që duket se bindi Korporatën të ndryshonte kushtet disi më në favor të investitorëve potencialë sesa në shpalljet e kaluara. Kështu ndërsa më parë privatit i vendosej një dysheme 45 për qind, pra që ai duhet t’i ofronte Korporatës një sipërfaqe mbi këtë përqindje nga projekti final, tashmë ajo është ulur në 40 për qind.
Lift Tower bën pjesë tek projektet e para që qeveria shpalli si një nismë për të zhvilluar pronën shtetërore në bashkëpunim me sipërmarrjen private. Lift Tower dhe VOID Toëer ishin dy projekte që parashikojnë shumëkatësh në disa nga zonat e preferuara të Tiranës dhe në këmbim shteti do të përfitonte zyra të reja ku zhvilluesi do të ndërtonte konkretisht zyrat e reja të Kadastrës në vendndodhjen aktuale dhe kompleksin Governativ pranë ish-parkut të Delegacioneve.
Projekti i Lift Tower
Në dokumentet e saj Korporata sqaron se ky është një ndër nënprojektet e para që lidhet dhe bazohet në një model biznesi ku janë në bashkëpunim edhe institucionet publike si: Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH) dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Projekti synon të zhvillojë pronën në rrugën “Muhamet Gjollesha” (tek fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit), e të përmirësojë cilësinë e godinave dhe zyrave të të gjitha institucioneve publike të sipërpërmendura.
“Nëpërmjet këtij nënprojekti, sipas një analize paraprake, rezulton se institucionet publike përfitojnë sipërfaqe të konsiderueshme të shtuar ndërtimore të zhvilluar. Pas përfundimit të projektit, ato do të zhvendosen në pronën e zhvilluar, duke nxitur sinergjinë operacionale dhe duke optimizuar shfrytëzimin hapësinor.
Bazuar në këto nevoja, me vendimin VKM 328/2024, Këshilli i Ministrave me aktin e transferimit të disa pronave në pronësi të Korporatës dhe disa pronave të tjera me të drejta zhvillimi, vendosi si kusht për transferimin e pronës plotësimin e nevojave të institucioneve publike sipas termave të marrëveshjeve të bashkëpunimi, terma të cilat ishin baza e hapjes së konkursit të projektimit të projekt-idesë së projektimit pjesë e kësaj procedure konkurruese lidhur me ndërtimin e godinës së Kadastrës Shqiptare, në zonën e Zogut të Zi (në afërsi të shkollës “Harry T.Fultz”) në një truall rreth 7,500 m2, të vënë në dispozicion nga ASHK (ku ndodhet aktualisht Drejtoria Vendore e ASHK).
Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m2 ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, vihet në dispozicion nga ATP për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj tek rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2,357.55 m2.
Kjo pronë ka vlerë të lartë ekonomike për sipërmarrjen dhe si rrjedhim është me interes për t’u zhvilluar” nënvizon KISH.







