Do të ekstradohet sot, 26 shkurt, nga Dubai drejt Shqipërisë i shumëkërkuari Durim Bami, i cili u arrestua rreth dy vite më parë, më 12 Qershor 2024, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndaj tij rëndojnë akuza për vepra të ndryshme penale, nga sigurimi i kushteve për të kryer vrasje, tek grup i strukturuar kriminal dhe kultivim narkotikësh.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar Bamit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.







