nga Bujar Leskaj
Votoj dhe mbështes me bindje të plotë projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë””, të paraqitur nga një përfaqësuese e opozitës, për arsyet e mëposhtme:
I. Projektligji që i thotë “Ndal!” abuzimit dhe vjedhjes me asetet kulturore dhe arkeologjike
Gati dy vjet më parë, më 22 shkurt 2024, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për dëshirat-ligje të sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian, delegacioni i të cilit në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.
Ndryshimet e shkurtit në ligjin për Zonat e Mbrojtura të vitit 2017, të shpikura nën gjoja një nismë të pesë deputetëve të maxhorancës, pastaj kur nisma s’piu ujë, me “dhënie mendimi” të Këshillit të Ministrave, përfshinin kalimin nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura natyrore, me vlera kulturore apo arkeologjike, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre.
Nga njëra anë sekti Rama në qeverisje i refuzoi me Komitetin e Investimeve Strategjike projektin “Ionian Heaven” një kompanie të huaj, që parashikonte një investim në nivel 78 milionë euro euro dhe që do të krijonte 443 vende të reja pune, gjoja se po ndërhyn në Parkun Arkeologjik të Butrintit, nga ana tjetër përvetësoi me ligj 20 përqind të territorit të Butrintit dhe parqeve të tjera arkeologjike dhe natyrore të Shqipërisë, për t’ua dhënë oligarkëve të vet për vila!
Me ndryshimet që propozon në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, projektligji synon që pasuritë e trashëgimisë kulturore të administrohen drejtpërdrejtë dhe eskluzivisht vetëm nga shteti. Si rast përjashtimor, pasuritë e trashëgimisë kulturore mund të administrohen edhe nga fondacione, të organizuara sipas ligjit për organizatat jofitimprurëse, por vetëm në ato raste kur këto fondacione janë krijuar dhe janë në pronësi të institucioneve publike me të paktën 51 përqind të kapitalit.
Në këtë mënyrë, sigurohet ruajtja e pasurive të trashëgimisë kulturore nga institucionet publike apо fondacionet në pronësi të tyre, duke garantuar që të ardhurat e nxjerra nga këto pasuri të arkëtohen në Buxhetin e Shtetit, dhe jo nga kompani private.
Projektligji i kthyer në ligj do të sigurojë që të ardhurat të përdoren për mirëmbajtjen e këtyre aseteve kulturore dhe arkeologjike, por edhe në të mirë të komunitetit që jeton pranë këtyre siteve, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, shkolla, spitale, parqe, gjelbërim etj.
Ndërsa shfuqizimi i dispozitave ligjore që mundësojnë administrimin e pasurive të trashgëmisë kulturore nga persona privatë apo fondacione të krijuara ndërmjet institucioneve publike dhe personave privatë, iu heq këtyre të fundit mundësinë që nëpërmjet skemave korruptive, klienteliste apo abuzive, sikurse ishte skema e Butrintit, t’i përdorin pasuritë kombëtare për t’u pasuruar vetë apo miqtë e tyre qeveritarë.
II. Projektligji në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare ku Shqipëria është palë
Projektligji mbështetet drejtpërdrejt në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 3, Kushtetuta parashikon se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
Pra, Kushtetuta e ka vendosur identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare ndër vlerat më të larta të shoqërisë sonë, si parime themelore mbi të cilat ngrihet dhe funksionon shteti shqiptar. Këto parime përbëjnë bazën e shtetit dhe, nëpërmjet institucioneve të tij, ai ka detyrimin t’i respektojë, t’i zbatojë, t’i ruajë dhe t’i fuqizojë ato, njësoj si të gjitha parimet dhe vlerat e tjera të parashikuara në Kushtetutë. Kjo nuk është një përgjegjësi që mund t’u delegohet subjekteve private, organizatave jofitimprurëse apo fondacioneve me mbizotërim të privatëve.
Trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për të interpretuar historinë e vendit, për të vlerësuar gjetjet arkeologjike, apo për të përfituar nga fondet publike që gjenerohen prej saj.
Konventa e Parisit e vitit 1972, ku Shqipëria është palë, përcakton shprehimisht rolin qendror të shtetit, duke e vendosur atë si subjektin përgjegjës që raporton për gjendjen e pasurive në territorin e tij.
Në nenin 4, Konventa përcakton detyrimin parësor të Shteteve Palë “për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore”.
Neni 5 është edhe më eksplicit në përcaktimin e detyrimeve konkrete menaxheriale të Shtetit Palë, si (i) miratimi i politikave të përgjithshme, (ii) integrimi i mbrojtjes së trashëgimisë në programet gjithëpërfshirëse të planifikimit (neni 5.1), (iii) ngritja e shërbimeve për mbrojtjen, konservimin dhe prezantimin e trashëgimisë dhe pajisja e tyre me personelin e duhur (neni 5.2), (iv) zhvillimi i metodave operacionale për përballimin e rreziqeve që i kanosen trashëgimisë (neni 5.3), si dhe ndërmarrja e masave të duhura juridike, shkencore, teknike, administrative dhe financiare për identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë (neni 5.4).
III. Projektligji i kthyer në ligj garanton që marrëveshje-grabitje si ajo e Butrintit në 2022 të mos përsëriten më!
Marrëveshja e vitit 2022 për dhënien në administrim me koncesion e Parkut Kombëtar të Butrintit mbetet një njollë e turpshme e qeverisjes së sektit Rama. Ajo nuk ishte një reformë menaxhimi, sikurse u paraqit, por një akt politik që rrezikoi të relativizojë kufirin mes interesit publik dhe interesave të ngushta të sektit, duke prekur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit historik shqiptar.
Butrinti nuk është një aset ekonomik i zakonshëm. Është trashëgimi botërore, simbol kulturor dhe kapital identitar. Prandaj dhe çdo vendim mbi administrimin e tij kërkon transparencë maksimale, konsensus publik dhe përgjegjësi shtetërore, elementë që në marrëveshje munguan dukshëm.
Vendimi për Butrintin (i) dobësoi rolin e shtetit në ruajtjen e pasurive strategjike, (ii) krijoi një model ku pasuritë publike trajtohen si projekte menaxheriale dhe jo si përgjegjësi sovrane, si dhe (iii) zëvendësoi transparenca publike me marrëveshje të negociuara në rreth të ngushtë.
Butrinti nuk është thjesht destinacion turistik. Ai përfaqëson histori, identitet dhe kujtesë kolektive. Kur administrimi i një pasurie të tillë kalon jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror, lind me të drejtë një ndjesi humbjeje sovraniteti kulturor. Kjo është arsyeja pse cilësimi “grabitje” për marrëveshjen e Butrintit është i plote, si perceptim politik dhe simbolik i një vendimi që çimenton shkëputjen e shtetit nga përgjegjësia historike.
Rasti i Butrintit ka prodhuar disa pasoja politike të rënda, si rritje të mosbesimit ndaj politikave të privatizimit apo koncesioneve, dyshime për transparencën e qeverisjes dhe tension në raportin mes qeverisë dhe komunitetit akademik e kulturor.
Projektligji që po diskutojmë mbron vendin nga grabitja e mëtejshme e pasurive kulturore dhe arkeologjike të tij.







