HomeOP EDKur shiu del në bankën e të akuzuarve/nga Doriana Musai

Kur shiu del në bankën e të akuzuarve/nga Doriana Musai

Advertismentspot_img

nga Doriana Musai
Një aks kombëtar është këputur. Segmenti Elbasan–Korçë, një nga lidhjet kryesore lindje–perëndim të vendit dhe pjesë e një korridori të shpallur strategjik, është sot jashtë funksioni të plotë, duke devijuar qarkullimin në rrugë malore dytësore dhe duke prekur drejtpërdrejt mijëra qytetarë, transportin tregtar dhe emergjencat.

Këputja ndodhi në segmentin Elbasan–Librazhd, aty ku rruga ndjek luginën e Shkumbinit dhe ku ndërhyrjet e fundit kishin ndryshuar konfigurimin e terrenit. Ndërsa rruga e re dështoi me sukses, ura e vjetër u shemb nga vetë autoritetet pasi dëmi u konsiderua i pakthyeshëm. Skarpata po cedon drejt Shkumbinit, ndërhyrjet e para stabilizuese nuk dhanë rezultat dhe një shtyllë e tensionit të lartë është dëmtuar nga rrëshqitja, duke e kthyer situatën nga një problem rrugor në një zinxhir risku infrastrukturor.

Për pasojë, qarkullimi është devijuar në aksin Spathar – Rruga antike Egnatia – Dardhë (Hotolisht), një rrugë malore e ngushtë dhe e paasfaltuar, e përshtatshme vetëm për mjete të vogla, ku praktikisht transporti TIR është jofunksional. Si alternativë tjetër mbetet aksi Elbasan–Gramsh–Korçë përmes Malësisë së Skraparit dhe masivit të Tomorrit, një itinerar që edhe në kushte normale kërkon mbi tre orë udhëtim. Emergjencat zgjasin, fshatra mbeten të izoluar dhe mbi 500 mijë qytetarë preken drejtpërdrejt nga ky bllokim.

Në të njëjtën kohë, autoritetet janë shprehur se mund të jetë i nevojshëm një ndryshim i plotë i projektit, pra një spostim i aksit. Në praktikë, kjo do të thotë vonesë e mëtejshme në rilidhjen e një segmenti të shpallur strategjik. Dhe kur një projekt duhet të riformulohet pasi është ndërtuar, pyetja logjike nuk është vetëm si do të riparohet rruga, por si është konceptuar ajo në fazën fillestare. Deri tani, nuk ka një afat të qartë për rikthimin e qarkullimit normal.

E gjithë kjo ndodh pas më shumë se një viti prezantimesh publike ku projekti është shitur si “super-projekt strategjik”, si segment kyç i Korridorit VIII dhe si provë e transformimit infrastrukturor të vendit. Pamje me dron, video, reels, statuse nga kantieri, montazhe dinamike dhe mesazhe të kuruara që e ngrinin aksin në simbol të një epoke të re ndërtimi. Në terren kanë qenë vetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku – tashmë e shkarkuar nga detyra dhe e përfshirë në një proces penal të nisur nga SPAK për çështje të tjera që lidhen me procedura tenderimi në sektorin e infrastrukturës.

Segmenti ishte kthyer në vitrinë politike, në një projekt që jo vetëm ndërtohej, por ekspozohej vazhdimisht si standard i ri qeverisjeje. Narrativa ishte e plotë, imazhi i konsoliduar, mesazhi i qartë. Terreni sot po e rrëzon narrativën.

Dhe në momentin e parë të stresit real, ai i reshjeve, justifikimi publik reduktohet në një fjali: mali piu shumë ujë.

Në inxhinieri, shiu nuk është alibi. Është parametër projektimi. Reshjet, drenazhimi, stabiliteti i skarpatave dhe analiza gjeoteknike janë kapitulli i parë i çdo projekti serioz. Infrastruktura ndërtohet pikërisht për t’i rezistuar kushteve natyrore, jo për t’u justifikuar prej tyre.

Prandaj, nëse mali “piu” më shumë se sa pritej, problemi nuk është mali. Ai nuk fsheh të dhëna, nuk bën tendera dhe nuk nënshkruan projekte. Problemi është llogaria që është bërë për të.

Studentët e inxhinierisë sot mësojnë për reziliencë infrastrukturore dhe për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike. Strategjitë kombëtare flasin për qëndrueshmëri dhe standarde europiane. Megjithatë, në testin e parë real, përgjigjja reduktohet në meteorologji.

Segmenti i këputur nuk është vetëm çarje asfalti. Është çarje në mënyrën se si menaxhohet përgjegjësia publike sepse kur narrativa zë vendin e analizës dhe imazhi paraprin standardin, rezultati nuk është surprizë, por pasojë.

Dhe kështu, ndërsa një aks kombëtar është i këputur, emergjencat zgjasin dhe qytetarët kalojnë në rrugë mali, në bankën e të akuzuarve ulet… shiu. Ai është fajtori ideal: nuk flet, nuk kundërshton dhe nuk kërkon transparencë.

Sepse në fund, problemi nuk është sa ujë pi mali. Problemi është sa lehtë e piu publiku justifikimin.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular