Lajm i trishtë për artin shqiptar. Sot u shua aktori i madh i humorit, Mane Lumani, në moshën 79-vjeçare. Ai është i njohur si një nga katër parodistët legjendarë të Vlorës, me një tragjëgimi të madhe në skenën shqiptare. Që prej vitit 2004, aktori i ndjerë nuk fliste më pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në fyt, ku iu hoqën të gjitha kordat pas një mase tumoriale të hequr. Lumani nisi karrierën e tij artistike si amator në vitin 1974 në ndërmarrjen e Ullishtës, ku spikati për humorin dhe aftësinë për të imituar. Ai ka interpretuar dhjetëra role komike me elegancë të rrallë, duke fituar zemrat e publikut.
Mane Lumani, së bashku me Agron Hoxhën, Afrim Agallinë dhe kolegun tjetër Muhamet Lika (i cili do të bashkohej më vonë), krijuan një stil të veçantë të humorit shqiptar, me parodi të mprehta, plot satirë dhe ironi, duke pasqyruar me mjeshtëri realitetin e kohës.
Mane Lumani mbetet një figurë e paharruar në kulturën shqiptare, një humorist që e solli të qeshurën në çdo skenë ku performonte.
Reagimi i deputetit vlonjat Bujar Leskaj
Shuhet një nga figurat e dashura të humorit, Mane Lumani
Është shuar në moshën 79-vjeçare aktori i humorit dhe parodisti i njohur vlonjat, Mane Lumani, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën artistike dhe kulturore të qytetit të Vlorës.
Prej një periudhe të gjatë ai përballej me probleme shëndetësore, ndërsa lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë familjarët, kolegët dhe publikun që e duartrokiti për dekada me radhë. Për shumë vite, i talentuari Mane ishte një emër i pandarë i skenës së humorit, duke sjellë role dhe interpretime që ngjallnin të qeshura, por edhe reflektim.
Ai i përkiste brezit të artistëve që e mbajtën gjallë traditën e parodisë vlonjate, duke e kthyer atë në një identitet kulturor të qytetit. Me stilin e tij të veçantë, plot ironi, finesë dhe batuta të goditura, Mane Lumani arriti të fitojë zemrat e publikut dhe respektin e kolegëve.
Kontributi i tij në artin e humorit do të mbetet i paharruar, ndërsa figura e tij do të jetojë gjatë në kujtesën e Vlorës dhe më gjerë.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve për këtë humbje të madhe.
U prehtë në paqe!








