HomeAktualitetNdarja në burim e mbetjeve do të bëhet e detyrueshme për qytetarët...

Ndarja në burim e mbetjeve do të bëhet e detyrueshme për qytetarët dhe bizneset

Advertismentspot_img

Qeveria shqiptare po përgatitet të ndërmarrë një nga reformat më të thella në fushën e mjedisit, duke e bërë të detyrueshme ndarjen e mbetjeve urbane që në burim për çdo qytetar, biznes dhe institucion publik.

Projektvendimi i hartuar nga Ministria e Mjedisit vjen në zbatim të ligjit të ri të vitit 2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe synon ta afrojë Shqipërinë me standardet e Bashkimi Evropian, duke orientuar vendin drejt modelit të ekonomisë qarkulluese dhe reduktimit të varësisë nga landfillet.

Ndarja e detyrueshme e mbetjeve

Sipas draftit, qytetarët nuk do të mund të hedhin më mbetjet e përziera në një kosh të vetëm. Letra dhe kartoni, plastika, metali, qelqi si dhe mbetjet organike do të duhet të ndahen sipas fraksioneve përkatëse.

Për këtë qëllim, bashkitë do të detyrohen të instalojnë kontejnerë të posaçëm, të standardizuar sipas ngjyrave dhe etiketimeve të unifikuara, në përputhje me praktikat evropiane. Autoritetet argumentojnë se kjo masë do të rrisë cilësinë e materialeve të riciklueshme dhe do të ulë ndjeshëm sasinë e mbetjeve që përfundojnë në venddepozitime.

Objektiva ambicioze deri në 2045

Reforma shoqërohet me një kalendar të qartë objektivash. Qeveria synon që:

  • Deri në vitin 2030 të riciklohen 25% e mbetjeve urbane
  • Deri në 2033 të arrihet niveli 50%
  • Deri në 2035 të shkohet në 55%
  • Deri në 2040 në 60%
  • Dhe deri në 2045 në 65%

Ndërkohë, mbetjet elektronike dhe bateritë do të trajtohen me rregulla të veçanta, bazuar në parimin e “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”, duke i ngarkuar kompanitë me detyrimin për menaxhimin e produkteve pas përfundimit të ciklit të tyre të jetës.

Sistem i ri raportimi dhe kontrolli

Projektvendimi parashikon ngritjen e një mekanizmi të detajuar raportimi për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Operatorët privatë do të duhet të raportojnë çdo vit pranë bashkive për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara. Këto të dhëna do t’i kalojnë më pas Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila do të hartojë raportin kombëtar vjetor.

Gjatë fazës së konsultimeve, bashki si Tirana, Kruja, Librazhdi dhe Dropulli kanë paraqitur sugjerime, ndërsa çështja e mbështetjes financiare për pushtetin vendor mbetet një nga sfidat kryesore për zbatimin në terren.

Autoritetet theksojnë se reforma nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, por synon të krijojë një treg të qëndrueshëm riciklimi dhe vende të reja pune. Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga infrastruktura vendore dhe nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për të ndryshuar sjelljen e përditshme ndaj mbetjeve.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular