Autopsia ka konfirmuar se Xhuana Nikollaj e cila i dha fund jetës së saj nuk ka qenë shtatzënë. Rezultatet e autopsisë kanë ndryshuar rrjedhën e hetimeve, duke zbuluar se e reja ka qenë viktimë e dhunës fizike para se të ndërmerrte aktin fatal dhe duke hedhur poshtë pretendimet se ajo ishte në pritje të një fëmije.
Burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë konfirmuar se në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja të qarta dhune.
Vetëvrasja e Xhuanës dyshohet të ketë ndodhur pas konflikteve dhe dhunës së vazhdueshme nga ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ky i fundit mendohet të ketë përndjekur dhe kërcënuar shpesh viktimën, e cila kishte kërkuar ndarjen.
Pasditen e sotme është zbuluar edhe një letër e shkruar nga Xhuana për familjarët e saj, në të cilën ajo shprehte se nuk do të lejonte më pranë vetes njerëz që vetëm e kishin lënduar. Ajo nënkuptonte se prej kohësh kishte dëshiruar të distancohej plotësisht nga ish-partneri, dhe për këtë arsye Xhuana ishte zhvendosur nga Lezha dhe po jetonte e vetme në Tiranë.
Autoritetet vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka tronditur opinionin publik ndërsa ish-partneri i saj është shpallur në kërkim nga policia.







