Tragjedia e Xhuana Nikollajt, 25 vjeç, bëhet edhe më e rëndë kur lexohen fjalët që ajo la në letrën e saj të fundit: “Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin.” Kjo fjali është një dëshmi e dhimbshme e një vuajtjeje që nuk duhet të kishte mbetur pa u dëgjuar.
Kur një e re arrin deri në këtë pikë dëshpërimi, përgjegjësia nuk është vetëm individuale. Së pari është përgjegjësi e shtetit, që duhet të garantojë mbrojtje reale për viktimat e dhunës në familje dhe të reagojë në kohë ndaj çdo denoncimi. Por është edhe përgjegjësi e shoqërisë, që shpesh zgjedh të mos shohë, të mos dëgjojë ose ta quajë dhunën “punë familjare”.
Letra e Xhuanës duhet të jetë një thirrje për ndërgjegjësim: dhuna nuk mund të trajtohet si një çështje private dhe as të lihet të zvarritet derisa të kthehet në tragjedi. Sepse pas çdo rasti të tillë mbetet një jetë e humbur dhe një pyetje që na rëndon të gjithëve: a mund të ishte shpëtuar kjo vajzë?
Sipas burimeve, në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar edhe shenja dhune, ndërsa kjo është konfirmuar edhe nga autopsia.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Tiranës e ka shpallur bashkëshortin në kërkim për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”. Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e tij në Lezhë, por ai nuk është gjetur. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij, pasi pritet të merret në pyetje lidhur me pretendimet e ngritura nga familjarët e të ndjerës.
25-vjeçarja ka lënë pas edhe një letër ku i kërkonte ndjesë prindërve të saj, dhe shpjegonte se ishte lënduar nga persona që e rrethonin.
“Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin”,-ishin fjalët që vajza kishte shkruar në letër.
Xhuana Nikollaj jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi. Po ashtu, nuk kanë munguar reagimet në rrjetet sociale për vdekjen e parakohshme të 25-vjeçares, ku miq të saj kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për ndarjen e saj nga jeta.







