Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ushtria e SHBA-së ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj një ishulli të vogël pranë bregdetit iranian, ku ndodhet një terminal i rëndësishëm i naftës që konsiderohet jetik për ekonominë e Iran. Sipas tij, objektet ushtarake në Ishullin Kharg janë shkatërruar plotësisht gjatë operacionit.
Megjithatë ai theksoi se SHBA mund ta rishikojë vendimin për të mos goditur drejtpërdrejt infrastrukturën e naftës në ishull, në rast se Irani apo aktorë të tjerë tentojnë të pengojnë kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngushticë e cila shtrihet në jug të bregdetit iranian është një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.
Nga ana tjetër ushtria iraniane reagoi duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj infrastrukturës së naftës në Kharg do të pasohet me goditje të menjëhershme ndaj objekteve të naftës dhe energjisë që u përkasin kompanive të lidhura me SHBA-në.
Edhe pse Ishulli Kharg ndodhet vetëm rreth 24 kilometra nga bregdeti i Iranit dhe ka përmasa të vogla, ai është një pikë kyçe për industrinë energjetike të vendit.
Terminali i naftës në këtë ishull përpunon dhe eksporton rreth 90% të naftës së papërpunuar të Iranit duke e bërë atë një element thelbësor për ekonominë e shtetit.







