HomeTe tjeraVizita e Hrushovit më 1959, masat ekstreme kundër gjarpërinjve në Butrint! Dhurata...

Vizita e Hrushovit më 1959, masat ekstreme kundër gjarpërinjve në Butrint! Dhurata që mori Enver Hoxha

Advertismentspot_img

PËLLUMB VREKA

Viti 1929. Dy kompani automobilash, njëra në pronësi të Emil Jenillek, prodhues automobilash të shpejtë, kryesisht për gara, tjetra, në pronësi të Karl Benz, prodhues i makinave me benzinë, u bashkuan duke krijuar trustin e famshëm me emrin MERCEDES-BENZ. Në këtë bashkim, ashtu si një çift që mundohet të shkrijnë emrat e tyre për fëmijën e sapolindur, edhe këta vendosën. Karl vendosi mbiemrin e tij, “Benz” kurse Emil, emrin e vajzës së tij, “Mercedes”. Ky emër faktikisht, pavarësisht se Emili ishte austriak, është emër spanjoll dhe thuhet se këtë vajzë, të vetme e kish të adoptuar!

Prill 1939. Me rastin e martesës së Ahmet Zogut me konteshën me origjinë hungareze, Geraldina Aponny, Hitleri i bëri atij dhuratë një makinë tip “Mercedes-Benz”, me ngjyrë të kuqe, (Zogu e vlerësonte shumë ngjyrën e kuqe të Flamurit Kombëtar), kabriolet. Në ato vite në Gjermani për prodhime automobilash shquheshin dy kompani, ajo e “Mersedes-Benz”-it dhe “Wolksvagen” (vagon popullor, d.m.th., makinë popullore). Hitleri i vlerësonte të dyja makinat, “Mersedes-Benz”-in për makinat moderne e klasike dhe “Wolksvagen” për çmimin e lirë që kishin, duke i dhënë kështu mundësinë popullatës të blinte një makinë të tillë. Hitleri, për vete përdorte dy makina, “MercedesBenz”, kabriole, të zeza, njëra me katër goma dhe tjetra me dhjetë goma, kjo e dyta për të pasur me vete shpurën e kuadrove kryesorë të shtabit të tij, si Geringun, Himlerin apo Gëbelsin. Krahas Ahmet Zogut, Hitleri pati bërë edhe dy dhurata të tjera me kësi makinash, që i kishte shumë për zemër. Njërën ia bëri Mbretit Faruk të Egjiptit, me origjinë shqiptare, mik i Ahmet Zogut. Mbreti Faruk u largua nga froni më pas në vitet 1950 me grusht shteti nga një grup ushtarakësh me në krye Gamal Abdel Nasser. “Mercedes-Benz”-i i dhuruar mbretit Faruk ishte identik me atë të mbretit Zog, por me ngjyrë vishnje. Dhe dhurata e tretë, me të njëjtin tip automobili, por me ngjyrë të zezë, Hitleri ia dhuroi Josif Visarionoviç Xhugashvili, gjeorgjianit i cili njihej me nofkën STALIN. Asokohe, Stalini ishte udhëheqës i Bashkimit Sovjetik si pasues i Leninit.

DHURATA E HITLERIT

Viti 1939. Viti i parë që në Shqipëri hyri një automobil me emrin prestigjioz, “Mercedes-Benz”. Makinat e tjera me të cilat lëviznin parlamentarët, latifondistët e feudalët ishin të tipit MILEÇENTO, prodhim i kompanisë italiane FIAT. Më vonë, pas çlirimit këto makina u sekuestruan nga shteti dhe u vunë në shërbim të qeverisë komuniste. Përjashtuar ato të atyre që u arratisën apo ia mbathën së bashku me makinat jashtë shtetit. Po ashtu, kur u futën makinat e prodhimit sovjetik, këto makina u përdorën gjerësisht për prodhimin e filmave me gjermanë dhe italianë. 1939.

Ahmet Zogu së bashku me shpurën e tij besnike të Oborrit Mbretëror, në një kolonë me makina, u largua nga Shqipëria në drejtim të Selanikut. Kuptohet, e dyta në kolonë se e para ishte e rikonicionit, ishte makina e Zogu me targë C540K. Pas shumë sorrollatjesh, Zogu përfundoi në Mbretërinë e Bashkuar, (siç e quante ai Imglitera) së bashku me “Mercedes-Benz”-in e dhuruar. Me të mbritur në Angli, Zogu kërkoi nga qeveria angleze të depozitonte thesarin e tij, me kusht që t’i jepnin interesa të larta, kjo për të jetuar e për të mbajtur në këmbë oborrin mbretëror. Mirëpo qeveria angleze kurrsesi nuk mund të pranonte kapriçot e Ahmet Zogut dhe refuzoi kërkesën e tij. Në këto kushte, Mbreti Zog, i pezmatuar për mosvlerësimin e qeverisë angleze ndaj tij, ia dhuroi “Mercedez”-in Kryqit të Kuq anglez, dhe u largua për tek miku i tij, Mbreti Faruk në Egjypt. Pastaj, kur u përmbys dinastia e Farukut, Mbreti Zog u largua dhe u vendos në Francë, ku edhe vdiq në spitalin FOSCH, pranë Parisit në moshën 66 vjeçare (një vdekje misterioze). Këtu mbaron historia e “Benz”-it të parë që hyri në Shqipëri. Pas çlirimit në Shqipëri (kryesisht për qeverinë) qarkullonin disa tipa makinash ku kryesonin ato italiane të FIATIT, Miliçento, ALFA-ROMEO, duke u kompletuar së fundmi me një ZIM të zi (Zavoda Imena Molotovuzina me emrin e Molotovit) të cilin ia dhuroi Stalini, Enver Hoxhës në vitin 1950 dhe që mbante targën karakteristike 0331. Edhe kjo ishte kabriolet, tipike e makinës “Mercedez-Benz” e dhuruar nga Adolf Hitleri.

VIZITA E HRUSHOVIT

Kur në Shqipëri erdhi për vizitë Nikita Hrushovi, me synimin për të rikuperuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, (por që kurrsesi nuk u realizua dashuria e krisur), Enveri me Mehmetin shëtitën Hrushovin me këtë makinë nëpër rrugët e Tiranës e deri në Butrint. Gjatë këtyre vizitave Hrushovi i propozoi qeverisë shqiptare që të mos mbillnin grurë e misër, veç luledielli se toka juaj, është e përshtatshme për këtë bimë. Gruri e misri që u duhet juve, është sa sasia që e hanë minjtë në hambarët tanë. Mbi këtë thënie të Hrushovit, më vonë, rreth vitit 1988, Haki Toska (anëtar i Byrosë Politike) propozoi që në kartëmonedhën pesëqind lekëshe, me një grua, asaj t’i vendosej në duar një tufë me lule dielli! Kur delegacioni i Hrushovit u shoqërua për në Butrint, më bëri përshtypje që në rrugëkalimet, sigurisht në këmbë, ishte hedhur një lloj lënde pesticide i cili gjallesat i ngrinte si të ishin në akull. Kjo për faktin se zona e Butrintit ishte e mbushur me …gjarpërinj. Në vitet 1960, Enverit iu dhurua nga qeveria kineze një makinë tipike si ZIM-i sovjetik e quajtur FLAMURI I KUQ. Flamujt ishin të vendosur njeri mbi kofono dhe katër të tjerë, në rresht për dy ishin vendosur majtas e djathtas mbi parafango. Edhe kjo makinë ishte e zezë dhe kabriolet. Derdhja e flamurëve ishte e përsosur, njësoj si stemat me portretin e Mao Ce Dunit, të përsosura. Në këtë makinë, Enveri dhe Mehmeti shëtitën Çu En Lain nëpër Shqipëri. Po ashtu edhe delegacionin e Princit (të vetëshpallur prokinez) të Kamboxhias, Samde Norodom Sihanuk. Them i vetëshpallur se sundimtari satanak i Kamboxhias ishte kryetari i Kmerëve të Kuq, Pol Poti, i cili gjatë sundimit të tij shfarosi plot tre milionë kamboxhianë të pafajshëm. Norodom Sihanuku, kur erdhi në Shqipëri solli si dhurata qindra kompletesh e takëme ngrënieje si lugë, pirunj e thika të cilat në bisht kishin të stampuar me gdhendje… Budën. Një komplet të tillë pata fatin t’a shtije edhe unë në dorë.

MAKINAT MODERNE

Me kalimin e viteve, udhëheqja e Shqipërisë, sidomos Enver Hoxha, pati fatin të qarkullonte edhe me makina të tjera, moderne, të asaj kohe, si “Kadillak”, “Alfa-Romeo”, etj. Pas viteve 1980, kryesisht në vitin 1982, qeveria shqiptare hapi thesin për të importuar nga Gjermania makina moderne. “MercedesBenz” TIP 280 SEL dhe një 600 SEL. Kjo u imponua nga fakti se në atë periudhë në Shqipëri hynin e dilnin shume delegacione të partive komuniste simotra, sidomos sepse Enveri e quante Shqipërinë, “Feneri i Komunizmit në Botë”. Për këto parti, që ishin me dhjetëra, shpenzimet e tyre, deri edhe zarfe me dollarë, i përballonte Partia e Punës e Shqipërisë dhe spikatnin Partia Komuniste e Zhoao Amazonas (Brazil) Palmiro Toliatit (Itali), por që më vonë u shpall tradhtar nga Enveri, apo edhe Zhak Gripa (Belgjikë). Pra, makinat duheshin që delegacionet komuniste të ndiheshin komod. Sepse këta myteberë, në vendet ku shkonin do propagandonin sistemin komunist në Shqipëri, si e ardhmja e botës! Në aktivitetin e saj, Partia e Punës dhe qeveria shqiptare ka pasur një portë hyrëse për problemet e vizitave të Ansambleve të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe ato ekonomike. Dhe këtë portë e drejtonte një shtetas gjerman, por me origjinë shqiptaro-turke, i cili quhej Shaban Yildirim, banues në Mynih të landit të Bavarisë. Çdo delegacion që do shkonte në Europë, më parë do pritej nga Shabani e pastaj do vazhdonte oshëtimën. Ai, mesa kam parë unë në shtëpinë e tij kishte me dhjetëra albume fotografike të të gjithë shqiptarëve që hynin në Europë për në vendet perëndimore. Në vitin 1989, për arsye pune isha me shërbim në Gjermani dhe i ndodhur në zyrën e tij unë kam parë se si Shabani bënte ligjin tek ndërmarrja jonë e agro-eksportit. Një faks i nisur nga zyra e tij për në agro-eksport shkruante”:

-Domatja është e tejskuqur, e pushëzuar, çmimi caktohet x dollarë për kilogram! Dhe kjo bëhej për të gjitha llojet e prodhimeve që Shqipëria dërgonte në Europë nëpërmjet kamionëve TIR, ku në karroceri shkruhej ALBANIA. Në këtë kuadër nuk bënin pjesë vizitat mjekësore të anëtarëve të udhëheqjes shqiptare për arsye shëndetësore. Këto udhëtime kryheshin direkt nëpërmjet linjës ajrore hungareze MALEV, e cila për në Shqipëri kishte vetëm një udhëtim në javë, ditën e enjte. Bile, kur u përmbys regjimi komunist, udhëheqja e lartë, për vizitat dhe udhëtimet e kryera i kishte mbetur borxh qeverisë 600 dollarë. Nejse, kuptohet që Shaban Yildirimi këto shërbime nuk i kryente “veresie”, aq më tepër që nuk njihej për budalla por për një rrufjan të shkathët e me autoritet në sferat gjermane. Përveç fitimi, brenda çmimit, Shabani shfrytëzonte edhe një burim tjetër që gjeneronte mijëra dollarë fitim. Çdo anëtar delegacioni ose shofer kamioni kuptohet që do blinte, pa diskutim edhe ndonjë pajisje elektronike, si magnetofon, televizorë, radio dore apo minikaloriferë etj., etj.. Këtyre pajisjeve kur kalonin kufirin në një vend që nuk ishte pjesë e Tregut të Përbashkët Europianë, u zbritej 14 për qind e vlerës (e kam provuar vet disa herë gjatë udhëtimeve të shërbimeve të ndryshme). Këtë vlerë e merrte Shabani, sepse ai mbante faturën doganore të eksportit të tyre. Sasia e “Mercedes-Benz”- ave që qeveria shqiptare kishte vendosur të bliheshin ishin shtatë syresh, të gjitha të tipit 280SEL. Grupi i shoferëve që do shkonte t’i merrte e t’i sillte në Shqipëri me rrugë tokësore, kuptohet që u pritën nga Shabani, kjo edhe për faktin se ai kishte kredibilitet të veçantë tek kompania e “Mercedes-Benz”-it, aq sa shfrytëzonte “Benz”-in e tij sa dëshironte e pastaj e kthente në kompani duke marrë një “Benz-Mercedes” të ri. Kjo më është thënë nga vet Shabani kur udhëtoja me të në autostradë me 200 kilometra në orë, autostradë e ndërtuar nga…Hitleri! Parku i Dekegacioneve, një ndërmarrje në dispozicion të Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar (në atë kohë drejtor ishte Kino B.) nuk është se nuk kishte makina por importi i këtyre “Benz”-ave kompletonte më së miri flotën e makinave të saj. Parku i Delegacioneve ishte i vendosur në Tiranën e Re, në një zonë mes pallatesh, d.m.th e mbrojtur edhe nga ngjarjet e vitit 1977. Parku i Delegacioneve, edhe më parë se viti 1971 kishte makina të mira, edhe “Benz”-a, por ishin vetëm për delegacionet.

MAKINAT PËR BYROISTËT

Makinat “Benz” u jepeshin vetëm anëtarëve të Byrosë Politike si edhe ministrave. Dikasteret e tjera zakonisht ishin të pajisur, (kryetarët e komiteteve ekzekutive, apo sekretarët e parë të Partive në rrethe) me xhipa tip GAZ-69 apo edhe Gaz67, prodhim sovjetik, shumë të forta. Nuk kishte degë e punëve të brendshme( sigurimi i shtetit) pa një makinë të tillë GAZ- (Gorgij Autozavod- Uzina e Automobilave Gorki). Ushtria, përveç këtyre makinave pas vitit 1960 u pajis me B.Ç-të kineze (kopjim i makinave sovjetike MAZ). Deri edhe zëvendëskryeministri kishte B.Ç. Aty nga viti 1976, Enveri me atë zgjuarsinë e tij, bëri një përjashtim. Pasi Petrit Dume me Hito Çakon, groposën Beqir Ballukun, bashkëluftëtarin dhe bashkudhëtarin e tyre, Enveri i gradoi të dy zëvendësministra dhe u dha në vend të një BÇ-je nga një… “Mercedes-Benz”.

Qëllimi i Enverit ishte që duke u dhënë poste dhe makina (Enveri në atë kohë e dinte si derri se ata të dy ishin në tavë me Ballukun) i nxiste që të nxirrnin deri në shpifje, materiale kundër Ballukut. Të dy myteberët, të joshur nga gradat e trajtimet, harruan që pranë gropës së Beqirit po hapnin edhe gropën e tyre. (Kam shkruar për bisedën me Ramiz Alinë në aeroportin e Athinës për këtë treshe dhe krahas shumë e shumë analizash, Ramizi më tha: “Po ç’të bënte Partia, o Pëllumb, kur Petriti dhe Hitoja thoshin se puna e Beqirit me Tezat e Zeza ishte tradhtare, që në fakt sot unë e pranoj që Beqiri as që kishte qëllim armiqësor me ato teza, thjesht i punoi e përpunoi për t’ia bërë këtë strategji Enverit si surprizë. Pikërisht, për këtë Enveri nuk e duroi që ai punoi pa dijeninë e tij, për t’i marrë Enverit si komandant, atributet e një… strategu…!). Nejse, në ato ditë, me një “Mercedes” të zi kam parë Petrit Dumen tek rruga e Dibrës, të kapardisej në vendin e parë (jashtë protokollit ministror) të bënte “show” nëpër rrugë. Pas ndodhisë me “Mercedes”-in e Petrit Dumes, pata edhe një ndodhi tjetër me Anëtarin e Byrosë Politike, Haki Toskën. Viti 1987. Punoja në Bankë dhe më kishin sjellë një ndihmës, Eqerem Bardhoshi, një grafist i rregulloreve ushtarake. Hakiu, duke parë modelet e kartëmonedhave të sjella nga unë nga Zvicra, më urdhëron të bëja një model me njëzet lekëshin, kartëmonedhë argjentinase. Pas përfundimit të modelit, (në sfond ishte qendra e Tiranës), u largova si zakonisht për katër a pesë ditë sipas programit në Shkollën e Rerzervistëve ku edhe paguhesha. Njëfarë, Jak Toska, inxhinier mekanik i Bankës, njeri inatçor, egoist e xheloz, së bashku me Eqeremin hapin derën e zyrës time, (me çelës të thjeshtë), dhe marrin modelin e njëzet lekëshit, shkojnë në shtypshkronjë dhe e stampojnë duke nxjerrë disa dhjetëra kopje. Këtë kartëmonedhë, ditën e parë të javës ia paraqesin Hakiut në zyrë. Hakiu kur pa kartëmonedhën me ngjyrë jeshile shqeto e punuar në mënyrë grafike, u vrenjt dhe iu drejtua Jakut:

-Ç’është kjo paçavure që keni bërë, kështu i zbaton urdhrat piktori ynë (e kish fjalën për mua), m’a gjeni e m’a sillni këtu. Qëllimi i Jakut dhe i Eqeremit ishte i qartë, të tërbohej Hakiu e të urdhëronte që unë të mos shkoja më në Bankë. Por, jo, Hakiu nuk e bëri për faktin sepse ne kishim edhe konfidencë me njëri-tjetrin. Unë kisha ngrënë bukë në shtëpinë e tij, pothuajse çdo javë. Kurthi i Jak Toskës nuk funksionoi. Më thirri Bedriu të paraqitesha tek Hakiu, ishte e enjte e javës. Fat i madh ishte që ata të dy kopukët nuk ma kishin zhdukur modelin, por e kishin lënë në vend. Shkova në zyrë, e mora por veç Bedriu më paralajmëroi se Hakiu ishte shumë i mërzitur.

U futa në zyrë.

-Eja këtu, ti piktor, ç’është kjo paçavure që më keni sjellë. Pse nuk e vlerëson punën dhe porosinë tonëdhe më hodhi përpara kopjen e kartëmonedhës të sapo dalë nga shtypi.

-Shoku Haki, ia ktheva unë, serbes, pasi pashë një imitim të shpëlarë të kartëmonedhës model që kisha përgatitur vet me ngjyra, jashtëzakonisht e bukur, ky është modeli që unë kam përgatitur sipas porosisë tuaj, besoj se jeni i kënaqur?

-Epo, kjo është puna jote, po pse m’a sollën mua këtë paçavure?

Unë për t’i rënë shkurt, meqenëse puna ime fliste vet, ia ktheva:

-Është provë, provë nëse ndahen apo jo ngjyrat. Mirëpo Hakiu ishte ‘rrufjan’ nuk i kishte qejf debatet dhe sherret. U ngrit, më hodhi dorën mbi sup dhe duke ecur për te dera më tha:

-Eja, Pëllumb të bëjmë një xhiro me “Benz”-in tim të ri që m’a dhuroi Partia. Dolëm bëmë një xhiro kryq e tërthor Tiranës. Kaq. Parku i Delegacioneve, në periudhën që erdhi partia e re e makinave “Benz-Mercedes” kishte për drejtor Arjan Maxhelakun, miku im, dhëndri i Hekuran Isait, i cili më pas u largua në drejtim të Gjermanisë ku krijoi familje tjetër. Kryeteknik ishte Xheladin Sengla, po ashtu miku im i cili tani i gëzohet pensionit si dhe elektroaut Yllin, po ashtu miku im. Përdora fjalët MIKU IM për këta të tre sepse makinat e mia “Mercedes-Benz” i kam çuar gjithmonë për shërbim servisi në duart e tyre në Parkun e Delegacioneve.

Kjo, derisa u hap në autostradë, “Benz-Mercedes”-i, filial i kompanisë “Mercedes-Benz”, me administrator Bastri Ruka, një burrë zotni, ish-drejtor i Radio Kukësit në kohën e monizmit. Serviset i kryeja tek Bastriu. Deri në vitin 1993, në Shqipëri kishin hyrë, lloje të ndryshme makinash, italiane, angleze, franceze, dhe sidomos gjermane. Tipat e makinave të prodhimit gjerman ishin kryesisht “Mercedes”-ët 190 dhe 240, makina jashtëzakonisht shumë të forta. Lidhur me këta lloj “Benz”-ash po ju japim tri episode, sa të bukura aq edhe të pabesueshme. Ndodhesha me Shabanin (të cilin e përmenda më sipër), dhe një biznesmen turk, Durmush Çelik, i cili po interesohej për të marrë pjesë në ndërtimin e autostradës Peqin- Elbasan. Ktheheshim nga Saranda, në dalje të Himarës shohim tre “Benz Mercedes” të vendosur në formë rrethi afër një peme. Shabani m’a bëri me shenjë për të shkuar atje. Shkuam dhe ç’të shohim, “Benz”-it të mesit i kishin hequr motorin, i cili varej me litar në degën e pemës. Menjëherë Shabani i bëri pesë a gjashtë foto komplet vendit ku po i bëhej “servis” makinës Benz. Siç na shpjeguan pronarët e tyre dhe një motorist. Këto foto, sipas Shabanit, kur përfunduan në tavolinën e punës të zyrës së kompanisë “Benz-Mercedes” lanë të habitur të gjithë administratorët dhe personelin inxhiniero-teknik të saj

vijon ne numrin e ardhshëm

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular