Situata në Ngushticën e Hormuzit ka arritur në pikën e vlimit pas një sulmi të forcave iraniane ndaj një anijeje tregtare. Garda Revolucionare e Iranit ka sulmuar një anije kontejnerësh që lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall, teksa kjo e fundit po tentonte të kalonte përmes kësaj rruge kyçe detare.
Sipas deklaratave zyrtare nga Teherani, regjimi islamik ka vendosur të bllokojë kalimin për shumicën e vendeve, duke bërë të ditur se ngushtica do të mbetet e hapur vetëm për Rusinë, Indinë, Kinën dhe Spanjën (kjo e fundit vetëm me kërkesë të veçantë).
Më herët, marina e Gardës Revolucionare deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është zyrtarisht e mbyllur dhe se çdo tentativë për kalim pa autorizim do të përballet me “masa të ashpra” ushtarake. Raportohet se të paktën tre anije të tjera kontejnerësh me kombësi të ndryshme janë detyruar të kthehen mbrapsht pas paralajmërimeve agresive nga ana e forcave iraniane.
Ky incident shënon një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në rajon, duke rrezikuar furnizimin global me naftë dhe stabilitetin e tregtisë botërore. Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim lëvizjet e radhës, ndërkohë që ende nuk ka një reagim zyrtar nga SHBA apo fuqitë e tjera perëndimore për këtë sulm direkt.







