Vala e re e emigracionit masiv nga Shqipëria po reflektohet qartë në rritjen e numrit të shtetësive që shqiptarët po marrin në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, rreth 48 mijë shtetas shqiptarë fituan shtetësinë e një vendi të BE-së gjate vitit 2024 atje ku jetojne, duke u renditur të tretët për nga numri i përfituesve, pas sirianëve dhe marokenëve – vende me popullsi dukshëm më të madhe se Shqipëria.
Italia mbetet destinacioni kryesor për natyralizimin e shqiptarëve, duke përbërë 66% të totalit të shtetësive të dhëna për këtë grup. Ajo ndiqet nga Greqia me 22.3%, Gjermania me 6.6%, Suedia me 1.6%, ndërsa vendet e tjera përbëjnë 3.8%. Në të dyja vendet, Itali dhe Greqi, shqiptarët janë grupi kryesor që përfiton shtetësi.
Në nivel europian, gjatë vitit 2024, afro 1.2 milionë persona morën shtetësinë e një vendi të BE-së, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023. Krahasuar me vitin 2014, rritja është edhe më e ndjeshme, me mbi 54%.
Pjesa më e madhe e shtetësive u dha nga Gjermania (24.5% e totalit), Spanja (21.4%) dhe Italia (18.5%). Rreth 88% e përfituesve ishin shtetas nga vende jashtë BE-së.
Edhe për vitin 2024, sirianët përbënin grupin më të madh të qytetarëve të rinj të BE-së, me mbi 110 mijë shtetësi të dhëna, të ndjekur nga marokenët me rreth 97 mijë dhe shqiptarët me 48 mijë.
Sa i përket normës së natyralizimit, Suedia kryeson me 7.5 shtetësi për çdo 100 banorë jo-shtetas, e ndjekur nga Italia me 4.1 dhe Spanja e Holanda me nga 3.9. Në anën tjetër, normat më të ulëta regjistrohen në Lituani (0.1), si dhe në Bullgari dhe Estoni (nga 0.3)







