Të paktën 16 persona janë vrarë dhe rreth 6 mijë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pas një serie sulmesh të armatosura në zonat rurale të Haiti gjatë fundjavës, ndërsa forcat e rendit po përpiqen të ndërhyjnë në territore të kontrolluara nga grupet kriminale.
Sipas autoriteteve, deri tani janë konfirmuar 16 viktima, por burime lokale raportojnë për rreth 20 të vdekur. Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se bilanci mund të rritet deri në 70 viktima. Aktivistët fajësojnë bandën Gran Grif, e konsideruar si një nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, për sulmet vdekjeprurëse.
Ngjarja ka ndodhur në zonën rurale Jean-Denis, pranë qytetit Petite-Rivière de l’Artibonite, ku sipas banorëve, sulmi i parë nisi në orët e para të së dielës. Anëtarët e bandës kanë hyrë nga drejtime të ndryshme, duke djegur banesa dhe duke qëlluar mbi civilët që përpiqeshin të largoheshin.
Të mbijetuarit raportojnë për skena të rënda, me trupa të pajetë të shpërndarë në rrugë, ndërsa një sulm i dytë vdekjeprurës është regjistruar edhe të hënën.
Deri më tani, 16 trupa janë dërguar në morgje, por shumë familjarë hezitojnë t’i marrin për shkak të frikës nga prania e vazhdueshme e anëtarëve të bandës në zonë. Të paktën 19 persona të tjerë raportohet se janë plagosur nga armët e zjarrit.
Sipas ekspertit për Haitin, Romain Le Cour Grandmaison nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, sulmi duket të ketë qenë i mirëorganizuar, me rrugë të bllokuara për të penguar ndërhyrjen e policisë.
Ai thekson se sulme të tilla zakonisht paraprihen nga sinjale paralajmëruese, ndërsa kritikat ndaj autoriteteve janë shtuar për mosreagim ndaj këtyre indikacioneve.
Sulmi dyshohet se është udhëhequr nga një komandant i njohur me nofkën “Ti Kenken”, i cili më herët kishte qenë pjesë e grupeve vetëmbrojtëse, përpara se t’i bashkohej bandës Gran Grif.







