HomeTe tjeraU rrëmbye nga Sigurimi tek universiteti dhe u pushkatua pa gjyq, historia...

U rrëmbye nga Sigurimi tek universiteti dhe u pushkatua pa gjyq, historia e Galip Hatibit! Dëshmitë që zbardhin vrasjen

Advertismentspot_img

Historia e Galip Hatibit është një nga ato rrëfime që tronditin jo vetëm për fatin tragjik të një individi, por edhe për mënyrën se si vetë mekanizmi i dhunës shtetërore e dokumenton krimin e tij.

Ndryshe nga shumë histori të tjera të periudhës komuniste, kjo nuk mbështetet tek kujtimet e bashkëvuajtësve apo rrëfimet familjare, por mbi dëshmitë e vetë oficerëve të Sigurimit, zyrtarëve të lartë dhe prokurorëve të regjimit që, në momente të caktuara, kanë zbuluar një pjesë të së vërtetës. Ka punuar si sekretar në Ministrinë e Brendshme, por u largua duke dhënë dorëheqjen për të kaluar në fushën e sporteve, si organizator i aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare. Njihte disa gjuhë të huaja: serbo-kroatisht, italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht. Më 25 shtator 1946, në moshën 26- vjeçare, Galip Hatibi u rrëmbye në mënyrë të fshehtë (kur ishte i sapomartuar me Asamblenë) para godinës së sotme të Universitetit të Tiranës me urdhër të drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Nesti Kerenxhi. Hatibi u mbajt i izoluar për një kohë të gjatë në bodrumin e Seksionit të Sigurimit të Shtetit (te Selvia), derisa u ekzekutua diku afër zonës së Kinostudios kur ishte kthyer në një kufomë, kockë e lëkurë. Galip Hatibi nuk u mor u pyetje asnjëherë. Ai u la në errësirë dhe vetëm sa mbahej gjallë me ndonjë krodhe bukë.

ARRESTIMI

Në vitin 1946, Galip Hatibi i sapomartuar dhe me një jetë përpara. Arrestimi i tij ndodhi në mënyrë të dhunshme dhe jashtë çdo procedure ligjore, në formën e një rrëmbimi të pastër, përpara godinës së Universiteti i Tiranës. Akuza ndaj tij ishte e rëndë dhe tipike për kohën, “agjent i spiunazhit amerikan”. Megjithatë, si në shumë raste të tjera të asaj periudhe, një proces i rregullt hetimor dhe gjyqësor nuk u zhvillua kurrë. Sipas dëshmive të mëvonshme, Hatibi u mbajt në izolim në bodrumet e Seksionit të Sigurimi i Shtetit, në zonën e njohur si Selvia në Tiranë. Aty ai iu nënshtrua torturave të vazhdueshme dhe trajtimit çnjerëzor, një praktikë që, siç del nga vetë dëshmitë e ish-oficerëve, ishte pjesë e zakonshme e hetuesisë së kohës. Ai u mbajt në këto kushte deri në verën e vitit 1948, kur, i rrënuar fizikisht dhe psikologjikisht, u nxor nga izolimi për të përfunduar tragjikisht jetën e tij. Ekzekutimi i tij ndodhi në mënyrë të fshehtë, në zonën pranë Kinostudios në Tiranë, pa një vendim të mirëfilltë gjykate dhe jashtë çdo standardi juridik. Ky akt nuk ishte një rast i izoluar, por pjesë e një praktike sistematike të eliminimit të personave të konsideruar “armiq të regjimit”.

DËSHMITË

Ajo që e bën historinë e Galip Hatibit edhe më të rëndë është fakti se detajet mbi arrestimin, torturimin dhe ekzekutimin e Hatibit dalin nga dëshmitë e vetë funksionarëve të regjimit, të dhëna në procese të mëvonshme gjyqësore. Në gjyqin ndaj Koçi Xoxe, një nga figurat kryesore të aparatit të sigurisë në vitet e para të pasluftës, u përmend edhe rasti i Hatibit si pjesë e praktikave të dhunshme të kohës. Në dëshminë e tij, ish-oficeri i lartë i Sigurimit, Vango Mitrojorgji, pranon se arrestimi i Galip Hatibit ishte kryer ilegalisht me urdhër të drejtuesve të tij. Ai përshkruan gjithashtu torturat e rënda që i janë bërë, duke theksuar se përdorimi i tyre ishte një metodë e zakonshme për të thyer rezistencën e të arrestuarve. Sipas tij, Hatibi u vra në mënyrë ilegale në verën e vitit 1948, pas një “gjyqi special” formal, të organizuar vetëm për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht. Edhe vetë Koçi Xoxe, në përpjekje për të shpëtuar veten gjatë gjyqit, implikoi figura të tjera të larta të regjimit, duke përmendur se ekzekutimi ishte kryer me dijeni dhe miratim të niveleve më të larta, përfshirë edhe Enver Hoxha. Këto dëshmi tregojnë jo vetëm për krimin individual, por për një sistem të tërë që funksiononte mbi dhunën dhe eliminimin e kundërshtarëve realë apo të imagjinuar. Rasti i Galip Hatibit u rikthye sërish në vëmendje edhe dekada më vonë, në procese të tjera gjyqësore brenda vetë regjimit, ku ish-zyrtarë të lartë akuzonin njëri-tjetrin për krime të kryera në të kaluarën. Në aktakuzat e këtyre proceseve përmendeshin emra si Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti, duke e përdorur rastin e Hatibit si një shembull të vrasjeve pa gjyq që kryheshin në mënyrë sistematike. Por drama nuk përfundoi me vrasjen e tij.

BASHKËSHORTJA

Regjimi komunist vazhdoi ndëshkimin edhe ndaj familjes. Në vitet në vijim, familja survejohej. Në vitin 1978, arrestuan bashkëshorten, Asamble Hatibi, të cilën e dënuan me 7 vjet burg për qëndrimin e saj antiparti. Ajo qëndroi në burg deri në vitin 1982. Nga dokumentet e Sigurimit të Shtetit, del se edhe i biri, mbahej në survejim. Qëndrimet e saj të hapura kundër regjimit dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj Enver Hoxha e çuan në burg, ku ajo vuajti dënimin nga viti 1978 deri në vitin 1982. Në një raport të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë të datës 11.9.1978, për Asamble Hati bin të botuar vite më parë nga Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, bëhet një analizë e fjalëve të saj duke ndarë agjitacionin në çështje politike dhe ekonomike. Citoheshin fjalët e saj, ndër të tjera, të mëposhtmet: “Enver Hoxha është vrasës, kriminel, fajtor për të gjitha vrasjet që janë bërë në vendin tonë. Një person që ka bashkëpunuar me armiqtë e partisë, por për të shpëtuar veten, i ka eliminuar ata. Ai zhduk dhe vret, zakonisht ata që dinë sekretin për të. Ai e ka ngritur shumë figurën e vet, mirëpo me atë që bën, nuk janë pak, ka vrarë shumë, ka vrarë gjithë njerëzit që nuk kanë rënë dakord me të dhe ju thotë se kanë shkelur platformën. Ai është shkaktar i vrasjes së vëllezërve Kokalari gjatë luftës, burrit tim Galip Hatibi dhe shumë të tjerëve. Ai është vrasës dhe katil.

Enver Hoxha është pederast. Unë e di këtë gjë. Për këtë punë ai ka vrarë edhe atë, Kokalarin… si dhe gjellëbërësin e tij të cilin e kish mbajtur vetë për marrëdhëniet e mësipërme. Po pse, sa do të rojë ky? Ka për të vdekur një ditë dhe atëherë do të kemi liri të plotë. Sot pyetet për gjithçka Enver Hoxha, zëvendësi i tij nuk dëgjohet fare. Gruaja e këtij të fundit e ka tepruar me elegancën e saj… ajo është frikacake, por ka përfituar nga dinakëria e atij labit. Enver Hoxhës i pëlqen ta ngresh në qiell, siç ndodh me kapitullin e qëndrimit të tij në Moskë në romanin “Dimri i madh” ku autori paraqet tërë mizerjen e jetës sonë. Marksist-leninist qe edhe Bashkimi Sovjetik, por e kuptoi që nuk ecet. Ata bëjnë politikë, do të hajë populli, mjaft e ka mbajtur peshën në kurriz, i thonë 60 vjet…Ti nuk e di se ç’është punëtori (tregon për një djalë me babanë punëtor që lagja i dha një shtëpi të vjetër. Kështu është shteti punëtor, diktatura e proletariatit). Unë nuk i them shthurje atyre që mbajnë pantallona të gjera e flokë të gjata, ajo është gusto e njeriut. Pantallona të gjera i ka mbajtur vetë Enver Hoxha ku ishte i ri. Shthurje i them të spiunosh prindërit se shikojnë Italinë në televizor. Ç’është e vërteta rinia ka krijuar urrejtje. Çfarë i kanë dhënë rinisë këta, vetëm aksionin.

Ne nuk mund të izolohemi nga bota, sot janë konditat e tilla. Shikon televizorin, po shkojnë në hënë e çfarë shthurje ka në këtë mes? Ata që janë në fuqi jetojnë gjithnjë mirë, ata kanë vila kudo, në Volerek të Pogradecit, në Shkodër, në Korçë, u rrinë gati shtëpitë dimër-verë. Por ama lërmë dhe mua të jetoj si njeri, pse më le kështu”. Survejimit nuk i shpëtoi as i biri që sipas Sigurimit ishte “tepër korrekt, tepër i mbyllur, por në gjoksin e tij zien një vullkan”. Duket se qëndrimi i mbyllur vetëmbrojtës që Durim Hatibi kishte përshtatur për t’i shpëtuar ndonjë dënimi të mundshëm, nuk e ndalte Sigurimin e Shtetit për të parë edhe atë që ndodhte në gjoksin e tij, por të paktën ai nuk u burgos siç ndodhi me të dy prindërit. Vetëm se, dhe pse i talentuar në futboll, u la të punonte në ndërmarrjen ekologjike.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular