Një operacion i policisë kundër shpërndarjes së drogës ka çuar në 20 arrestime dhe 19 persona të hetuar. Ky është bilanci i një aktiviteti të gjatë dhe kompleks hetimor, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në Piacenza dhe i koordinuar nga Prokuroria e Republikës, i cili bëri të mundur çmontimin e një rrjeti të gjerë të shpërndarjes së kokainës aktiv në qytet.
Hetimi, i zhvilluar nga viti 2021 deri në 2025 nga Seksioni i Hetimeve (Squadra Mobile), nxori në pah një organizatë të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me mbështetjen e disa shtetasve italianë dhe të disa aktiviteteve tregtare bashkëpunuese, si qendra telefonike dhe shërbime ‘money transfer’.
Gjatë operacionit, 20 persona (19 shqiptarë dhe një italian) u arrestuan në flagrancë për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa 19 të tjerë u denoncuan pranë autoriteteve gjyqësore për vepra të ndryshme, përfshirë trafik dhe shpërndarje droge, pastrim parash dhe vetëpastrim, falsifikim të instrumenteve të pagesës, zëvendësim identiteti dhe favorizim.
Aktivitetet hetimore çuan gjithashtu në sekuestrimin e mbi 600 gramëve kokainë, 80 gramëve kanabinoidë dhe 38,376 eurove të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm. Në total, u identifikuan edhe 40 përdorues droge, të gjithë banorë të Piacenzës, të moshës nga 25 deri në 60 vjeç.
Sipas rindërtimit të hetuesve, organizata kishte krijuar një sistem të strukturuar për të vështirësuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Shpërndarësit, shpesh të rinj nga 20 deri në 30 vjeç dhe pa precedentë penalë në Itali, vinin drejtpërdrejt nga Shqipëria dhe operonin në qytet për periudha të shkurtra.
Ata lëviznin si kalimtarë të zakonshëm apo turistë dhe aktivizoheshin herë pas here nga një ndërmjetës që menaxhonte porositë.
Blerësit kontaktonin disa numra italianë përmes aplikacionit WhatsApp për të kërkuar drogë. I ashtuquajturi ‘centralinist’, pasi merrte porosinë dhe një përshkrim të shkurtër të klientit, kontaktonte shpërndarësin që ndodhej në territor duke i treguar vendin e takimit.
Dorëzimi kryhej në mënyrë të shpejtë dhe pa kontakte paraprake, duke mbrojtur identitetin e shpërndarësve dhe duke e bërë më të vështirë zbulimin e shkëmbimit.
Nuk bëhej fjalë për një shpërndarje klasike rruge. Shpërndarësit qëndronin përkohësisht në qytet, duke frekuentuar bare, parqe dhe ambiente publike, ose duke u akomoduar në hotele, bujtina apo banesa private.
Në disa raste, hetuesit vendosën edhe masa administrative ndaj strukturave akomoduese që nuk kishin njoftuar autoritetet për praninë e klientëve, si dhe ndaj individëve që nuk kishin bërë deklarimet e detyrueshme të mikpritjes.
Gjatë hetimeve u bë e mundur edhe rindërtimi i transferimit jashtë vendit, veçanërisht drejt Shqipërisë, i një shume prej 61,451 eurosh. Sistemi përdorte disa pika ‘money transfer’, që lejonin dërgimin e parave edhe duke përdorur dokumente të personave të pavetëdijshëm, ndërsa një qendër telefonike siguronte karta SIM të regjistruara në emra të tjerë për kontaktet me blerësit.
Hetimet, të kryera edhe përmes survejimit, analizës së telefonave të sekuestruar, studimit të rrjeteve sociale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor, çuan në identifikimin në Shqipëri të një personi të dyshuar si përgjegjës për menaxhimin e porosive.
Shtetasit e huaj të hetuar, pasi janë liruar nga burgu, janë dëbuar nga territori italian dhe janë riatdhesuar në Shqipëri.







