Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh se “deputeti është i paprekshëm”, duke iu referuar incidenteve të së premtes në protestën e Partisë Demokratike.
“Rama ka një standard: nëqoftëse ti nuk përballesh egër me opozitën, ai të heq. Reagimi që e kalon masën ligjore, masën institucionale është se edhe një protestë përpara kanë goditur liderin e opozitës pa sens. Është e pafalshme. Duhet ta mbrojnë liderin e opozitës, madje dhe me ligj. Kësaj radhe kanë goditur deputetë. Deputeti është i paprekshëm në raport me policinë. Policia duhet ta marrë në mbrojtje. Policia i sulmon kur ka për detyrë që t’i mbrojë”, tha Ndoka në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Është një porosi apo është gabim taktik? Kjo është një porosi që të godasin edhe personazhet politikë dhe kjo është e pafalshme. Për Flamur Nokën mund të kemi rezerva e kritika sa të duash, por në fund të fundit ka qenë shefi i tyre (policëve), ka qenë ministri i Brendshëm, që ka një lloj statusi. Pra, këto janë standardet që kjo polici i ka shkelur në mënyrë të qëllimshme. Sepse është tjetër gjë kur ti je agresiv, kur e kundërshton, kur godet policinë. Edhe në atë rast policia nuk duhet të reagojë, nuk duhet t’i kundërpërgjigjet edhe nëqoftëse e godet një deputet. Duhet të marrin masa parandaluese duke e izoluar, duke e shmangur, duke e bllokuar dhe duke e denoncuar më vonë”, shtoi Ndoka.







