Gjykata Penale e Tiranës ka dhënë vendimin për 11 personat e arrestuar gjatë protestës së opozitës më 17 prill. Në masën arrest me burg janë lënë Klement Çuçka, 38 vjeç, Bujar Tusha, 29 vjeç, Henri Shapllo, 30 vjeç, Mirvet Toçilla 50 vjeç dhe Semi Bici 25 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ‘’Mbajtje pa leje te armeve shpërthyese dhe municionit.
Për 6 të tjerë, Bardhyl Ndoun, Sokol Bajraktarin, Ernest Kapon, Igball Domin, Gentjan Tugën dhe Edison Shytin, Gjykata caktoi masën detyrim paraqitjeje. Lidhur me rastin një hetim në gjendje të lirë ka nisur edhe për deputetin Klevis Balliu dhe ish-kandidatin për deputet, Aulon Kalaja, i cili mbeti i lënduar pas përplasjes me uniformat blu.







