Dy automjete janë përfshirë në një aksident rrugor brenda tunelit të Llogarasë, duke sjellë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment.
Sipas të dhënave, në aksident janë përfshirë një automjet tip BMW, i drejtuar nga R.K., 24 vjeç, banues në Vlorë dhe një automjet tip Volvo i drejtuar nga S.G., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë një parakalim i gabuar.
Si pasojë e aksidentit, një prej drejtuesve të mjeteve ka mbetur i plagosur lehtë dhe është transportuar drejt Spitalit të Vlorës. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë ndërhyrë për menaxhimin e trafikut dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.








