Ndërkohë që shumë linja ajrore kanë raportuar ulje të rezervimeve për fluturime për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta, drejtori ekzekutiv i Wizz Air ka deklaruar këtë të hënë se orari i fluturimeve për verën do të jetë 17% më i madh këtë vit.
Kjo rritje do të jetë e përqendruar në tregjet e Ballkanit dhe Kaukazit, pavarësisht shqetësimeve për furnizimin me karburant avionësh dhe kostot e lidhura me luftën në Iran.
“Jemi shumë më të fortë në rezervimet për verën këtë vit krahasuar me vitin e kaluar”, u tha gazetarëve Jozsef Varadi gjatë një konference për shtyp, citon Reuters.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur shumë kompani ajrore si easyJet dhe TUI kanë njoftuar rënie të rezervimeve të ardhshme dhe paralajmërime për fitimet në javët e fundit.
Kompanitë ajrore evropiane po hyjnë në sezonin e raportimit të tremujorit të parë, ndërsa analistët janë të pasigurt për perspektivën afatgjatë, pasi kontratat e sigurimit të çmimeve të karburantit pritet të përfundojnë në muajt e ardhshëm.
Jozsef Varadi tha se Wizz Air ka siguruar rreth 70% të nevojave për karburant për periudhën e verës dhe se gjatë vitit 2026 do të marrë 35 avionë të rinj Airbus. Linja ajrore me bazë në Hungari planifikon të rinovojë disa nga kontratat e saj të sigurimit të çmimeve kur ato të skadojnë këtë verë, për t’u mbrojtur nga luhatjet e çmimeve.
Sipas tij, me një çmim prej 1 mijë e 500 dollarësh për ton metrik të karburantit për avionë, cisternat kanë më shumë interes të drejtohen drejt Shteteve të Bashkuara për furnizim, gjë që kompenson mungesat nga Lindja e Mesme, një burim i rëndësishëm karburanti për transportuesit ajrorë evropianë.







