HomeKryesoreRregulla të reja për zonat e gjuetisë, ja si do të përcaktohen...

Rregulla të reja për zonat e gjuetisë, ja si do të përcaktohen dhe shënohen kufijtë në të gjithë vendin

Advertismentspot_img

Përcaktimi i territoreve ku lejohet gjuetia nuk do të lihet më në dorë të rastësisë apo vlerësimeve sipërfaqësore. Me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit, garantimin e sigurisë publike dhe shmangien e konflikteve territoriale, Ministria e Mjedisit ka miratuar Udhëzimin e ri, i cili saktëson në detaje procedurën e identifikimit, zonimit dhe markimit të kufijve të zonave të gjuetisë.

Ky udhëzim i ri ngarkon me përgjegjësi direkte pushtetin lokal dhe menaxhuesit e zonave, duke vendosur kritere të rrepta ekologjike dhe teknologjike.

Hapi i parë për krijimin e një zone gjuetie nis nga pushteti vendor. Sipas dokumentit të firmosur nga Ministri Sofjan Jaupaj, Kryetari i Bashkisë duhet të ngrejë një grup të posaçëm pune të përbërë nga specialistë të natyrës, juristë dhe përfaqësues të shoqatave të gjuetisë.

Zgjedhja e territorit nuk është arbitrare, por do të kalojë përmes një “site” të imtësishme kriteresh.

Kufijtë duhet të respektojnë distancat nga vendbanimet, rrugët, infrastrukturat publike dhe zonat turistike, për të shmangur çdo rrezik për jetën e njerëzve.

Zonat nuk mund të mbivendosen me Zonat e Mbrojtura apo territoret me rëndësi të veçantë strategjike dhe bujqësore. Gjuetia do të lejohet vetëm aty ku fauna e egër ka një densitet të mjaftueshëm për shfrytëzim të qëndrueshëm, pa rrezikuar popullatat e kafshëve.

Teknologji GPS dhe standardizimi i tabelave

Një nga risitë kryesore të udhëzimit është përdorimi i detyrueshëm i teknologjisë për saktësinë e kufijve. Përcaktimi i tyre do të bëhet me pajisje GPS profesionale me një saktësi minimale prej ± 3 metrash, të lidhura me sistemin shtetëror të Rrjetit Gjeodezik Shqiptar (KRGJSH).

Pas miratimit të zonës nga Këshilli i Ministrave, fillon procesi fizik i shënimit (markimit) në terren, i cili tashmë ka rregulla strikte vizuale. Tabelat kryesore do të jenë metalike ose plastike, me përmasa minimale 100×50 cm, në ngjyrë të verdhë ose portokalli, ku do të shkruhet qartë “ZONË GJUETIE”. Ato do të vendosen në pikat hyrëse dhe në çdo kthesë të kufirit.

Si shenja ndihmëse do të përdoren shtylla (1.5 metra të larta) ose shenja 10-20 cm në pemë e shkëmbinj, por vetëm duke përdorur bojë ekologjike të padëmshme.

Në terren të hapur shenjat do të vendosen çdo 150 metra; në pyje çdo 70 metra; dhe në zona me bimësi të dendur çdo 50 metra.

Mbrojtja e trashëgimisë

Udhëzimi ka një klauzolë të prerë për mbrojtjen e pasurive kombëtare: ndalohet rreptësisht vendosja e tabelave apo shenjave me bojë në elemente të trashëgimisë kulturore apo në monumente natyre pa marrë autorizim paraprak nga institucionet përkatëse.

Pushteti vendor është autoriteti që do të kryejë inspektimet periodike, ndërsa barra financiare dhe logjistike bie mbi menaxhuesin e zonës së gjuetisë. Ky i fundit ka detyrimin ligjor që të mirëmbajë tabelat dhe të zëvendësojë çdo shenjë të dëmtuar ose të humbur brenda një afati maksimal prej 30 ditësh.

Ky kuadër i ri rregullator, i cili përfshin edhe rezervatet e mbarështimit dhe ripopullimit, pritet të sjellë një standard evropian në administrimin e faunës së egër në Shqipëri, duke ndarë qartë kufijtë mes pasionit sportiv dhe ruajtjes së ekosistemit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular