Spanja, për shkak të lidhjeve të ngushta me Amerikën Latine dhe afërsisë me Marokun, një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit, konsiderohet një nga pikat kryesore të hyrjes së drogës në Europë.
Policia spanjolle ka sekuestruar një sasi rekord kokaine nga një anije në Oqeanin Atlantik, e cila siç shkruan Euronews mund të arrijë deri në 40 tonë. Anija u ndalua nga Garda Civile në ujërat ndërkombëtare pranë Ishujve Kanarie të premten, 1 maj, ndërsa rreth 20 persona janë arrestuar.
Sipas vlerësimeve paraprake, hambari i anijes ishte “plotësisht i mbushur” me pako droge, duke e bërë këtë një nga goditjet më të mëdha në histori.

Aktualisht, anija po inspektohet në Ishujt Kanarie. Ajo kishte nisur udhëtimin nga Freetown, kryeqyteti i Sierra Leones, drejt Bengazit në Libi. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo rrugë nuk ka shumë kuptim për shkarkimin e një sasie kaq të madhe droge në Libi.
Modelet e operacioneve të mëparshme tregojnë se ngarkesa pritej të transferohej në anije më të vogla për t’u shpërndarë më pas në Europë. Një shkarkim i tillë në një port të vetëm do të ngrinte menjëherë dyshime, ndaj besohet se operacioni është koordinuar nga rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi në Madrid se ky ishte “një nga sekuestrimet më të mëdha, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar”, pa dhënë më shumë detaje.

Hetimi mbetet nën sekret hetimor me urdhër gjykate, ndërsa Garda Civile nuk ka konfirmuar zyrtarisht të gjitha detajet e operacionit.
Ky operacion vjen pas disa goditjeve të tjera të mëdha në Spanjë. Në vitin 2024, policia sekuestroi 13 tonë kokainë në portin e Algeciras nga një anije që vinte nga Ekuadori, ndërsa në janar u kapën rreth 10 tonë kokainë në det, një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji.







