PËLLUMB VREKA
Viti 1965. Arkivoli me trupin e djalit të komshiut mbërriti në oborrin para pallatit. Një histori sa e trishtueshme aq edhe misterioze. Ne banonim në një apartament dhomë e kuzhinë, krahas gjashtë apartamenteve të tjera. Të gjitha njëkatëshe, godinë e ndërtuar nga italianët, përballë kishim një pallat trekatësh që e quanin, pallati italian, ngjyrë të kaltër. Të gjitha familjet që banonin në godinën njëkatëshe ishin kuadro të Ministrisë Punëve të Shtetit, e quajtur rëndom, Sigurimi i Shtetit, pavarësisht se aty operonte edhe Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës. Banesat ishin pa pagesë, njëra nga privilegjet që kishin oficerët e Ministrisë Punëve të Brendshme. Këto godina ndodheshin në pjesën e poshtme të murit rrethues të Kinostudios. Të gjitha hyrjet ishin të kompletuara për një banim normal. Unë isha në vitin e fundit të shkollës shtatë vjeçare “Bajram Curri”, mësuese kujdestare kishim një zonjë grua, Ida Harshova, me ato flokë të shkurtra e me një bluzë (që më është fiksuar mirë) ngjyrë rozë material “Deve” quhej atëherë. Drejtor shkolle kishim Filip Ndocaj, babai i Engjëll Ndocajt, sot gazetar në Radio Televizionin Shqiptar. Filipi ishte një burrë i hedhur, buzagaz dhe mbante një pardesy bezhë të pa mbërthyer e kur ecte i hapej si “parashutë”. Nejse, arkivoli u soll në oborr të pallatit me një makinë tip “Zuk” që rëndom përdorej për shpërndarjen e druve me metro kub për qytetarët nëpër adresa. Kurioziteti ishte i madh, në oborr u mblodhën me dhjetëra njerëz. Gjithkush mundohej të shikonte momentin kur të hapej kapaku i arkivolit, mirëpo kjo mundësi nuk na u dha, as neve sehirxhinjve dhe më e forta, as edhe familjarëve të të ndjerit.
Arkivoli nuk u lejua të hapej së pari sepse atë e shoqëronin dy persona me kostum e kravatë dhe së dyti, ai ishte i gozhduar mirë! Familjarët e lajmëruar për mbërritjen as nuk protestuan e as vunë kujën për birin e tyre, ç’ka të jepte të kuptoje që ata ishin “Porositur” të rrinin “Urtë”. Kështu pas disa minutash qëndrimi dhe grumbullimit të familjarëve e fare fisit, me një ecje të ngadaltë prapa “Zukut” u drejtuan për në varreza ku u varros pa ndonjë ceremoni të veçantë.
HISTORIA E USHTARIT
E vërteta qëndron në faktin që djaloshi i ndjerë ishte ushtar në kufi në zonën e Prushit në rrethin e Kukësit. Siç thoshin edhe komshinjtë që e njihnin mirë, ai ishte një djalë inteligjent, gjimnazin (Çajupi) e kishte mbaruar me nota të shkëlqyera. Zotëronte perfekt, gjuhën angleze të cilën e kishte mësuar si autodidakt, me një vullnet të fortë. Por thashethemet tregonin një histori misterioze të vrasjes në kufi të djaloshit. Thuhej se nga viti i dytë i shërbimit, ku ushtar, gjatë patrullimit të vijës kufitare, një grup prej tre vetash, në pjesën ku mbaronte “Kloni” takohej me një ushtar të palës Jugosllave. Teoria konspirative për të vazhdonte me pikasjen e njërit prej kolegëve të tij që ky takohej fshehurazi me ushtarin kufitar Jugosllav. Siç ndodhte rëndom e përherë në Ushtri, Polici e Kufi, ushtari zbulues njofton Shefin e Sigurimit të Repartit për sa kish parë. (Çdo repart kishte veç partisë edhe dy ostre, operative të sigurimit si syri vigjilent i përhershëm). Thashethemnaja, vazhdonte me mbajtjen nën vëzhgim të ushtarit “Tradhtar”, të cilin një moment, të një dite, kolegu e pikasi kur hodhi armën matanë klonit dhe me një zvarritje poshtë telave të klonit po mundohej të dilte matanë, ku ishte dhe momenti kur ushtari survejues e pikasi dhe pa asnjë paralajmërim hapi zjarr duke e lënë të vdekur në vend. Urdhri për vrasjen e dezertorëve apo të kalimit të kufirit të shtetasve ka qenë në fuqi deri në përmbysjen e pushtetit të Ramiz Alisë. Ushtari i vrarë pas kësaj, gjithmonë sipas historisë tymnajë të shpërndarë gjithandej, u soll me “Zuk”-un në shtëpi kurse ushtari ekzekutues i tradhtarit imagjinar, u dekorua me medaljen “Për merita në mbrojtje të kufirit të R.P.S.SH”!
Takimi me babain e Kondos
Viti 1996. Unë kisha, aso kohe edhe një biznes në sektorin e supermarketit. Im atë vinte shpesh nga Fieri, ku edhe banonte familja jonë, për të qëndruar dy apo tre ditë. Ndërronte ambient nga malli por edhe nga halli sepse ajri në Fier qysh kur u ndërtua, ndotej nga aroma që shpërndante azotiku i Fierit (era squfur), dhe kjo i bënte dëm shëndetit. Nejse, në supermarket kisha një zyrë të quajtur të punës dhe po pinim kafe duke bërë dhe muhabet. Në një moment hyn në zyrë njëra nga shitëset e më thotë:
– Shef, ka ardhur një zotni e kërkon t’ju takojë.
– Sille brenda, shpejtova unë. Hyri zotëria e pasi u përshëndetëm e ftova të ulej.
– Urdhëroni zotni, – e pyeta,
– Me se mund t’ju ndihmoj?
– Unë-, vazhdoi mysafiri,
– Jam babai i Aleksandër Kondos, kampionit të ngritjes së peshave.
– Po, po, – e ndërpreva unë, ka qenë i famshëm.
– Problemi qëndron – vazhdoi ai, – se ne kemi kohë që mundohemi të grumbullojmë donacione për të bërë shumën e duhur e për ta sjellë trupin në Shqipëri.
Pas aksidentit që i ndodhi në SHBA, po mundët edhe ju të na jepni një kontribut, do t’ua dinim për nder.
– Po – ia thashë, pa e zgjatur, – Hapa sirtarin mora tetëqind dollarë dhe ja dhashë pa hezitim.
– Shumë faleminderit, – tha i ati dhe pasi u ngrit na përshëndeti e falënderoi, u largua.
– Eh, theu heshtjen babai, – i ziu ai, akoma beson se aksidenti i të birit që i mori jetën, ishte i rastësishëm!! Babai punonte akoma në Organet e Sigurimit të Shtetit.
– Pse, – u bëra unë kurioz, – Si është historia e këtij Aleksandër Kondos? Në fakt duhet theksuar një detaj shumë i rëndësishëm që, trupin e Aleksandrit e solli në Shqipëri Qeveria Shqiptare, ndërsa paratë e grumbulluara i mori i ati i tij! Ndodh edhe kështu!
– Dëgjo mor djalë, vazhdoi im atë. Qetë-qetë, a të kujtohet historia e atij ushtarit që kishim komshi dhe që e vranë në kufi, në tentativë për t’u arratisur?
– Po, po, më kujtohet, por atëherë u çuditëm të gjithë që nuk i lejuan familjarët të hapnin arkivolin e që e kishin mbuluar me një batanije ushtrie.
– Epo, duhet të dish pak më shumë. Për faktin e çuditshëm e të jashtëzakonshëm që nuk u lejuan familjarët të hapnin arkivolin e birit të tyre. Ai djalë ishte i talentuar, i zgjuar dhe njohës perfekt i gjuhës angleze. Për këta tipa, Sigurimi i Shtetit bënte gjithçka t’i fuste në dorë për t’i përdorur jashtë shtetit për shërbime të ndryshme, këta quheshin “Agjentë të fjetur”.
ARRATISJA E PANAJOT PLAKUT
Sigurimi i përpunonte, i udhëzonte, i pajiste me dokumente të rregullta, interesohej deri sa këta të asimiloheshin me shoqërinë për rreth. Dhe ai djalë, pësoi të njëjtin fat. As u vra e as u arratis. Arkivoli kishte brenda… tulla!! Kur elementë publikë të rëndësishëm me funksione partiake, arratiseshin jashtë vendit, sidomos në Jugosllavi e Greqi, propaganda e shtetit pritës nuk reshte pa i mëshuar faktit që Shqipëria është një shtet Diktatorial, pa liri të fjalës, etj., etj.. Tipik është rasti i arratisjes së Panajot Plakut në Jugosllavi, i cili pas arratisjes fliste për natë, në radio-Jugosllavia, kundër Pushtetit Popullor. Kjo e tërbonte partinë në pushtet dhe si person që paraqiste rrezikshmëri për Republikën Socialiste të Shqipërisë, duhej të eliminohej me patjetër. Për të zbatuar këtë detyrë, viheshin në punë të ashtuquajturit “Agjentë të fjetur”. Dhe faktikisht, Panajot Plaku u gjet i vdekur në dhomën e hotelit ku dhe e kishte sistemuar Agjentura e UDB-së.
REFUZIMI I VILSON BLLOSHMIT
Ose rasti tjetër me kushërinjtë Blloshmi, në Elbasan, Vilson dhe Genci. Vilsoni ishte shumë më inteligjent, i zgjuar por, dhe parimor, krahasuar me Gencin. Ai ishte autodidakt i gjuhës Franceze, përkthente shkëlqyeshëm libra të ndryshme, falë pasionit të tij edhe këtu u fut në lojë për rekrutim, Sigurimi i Shtetit, të cilit ju bë ofertë deri edhe nga Kadri Hazbiu, personalisht për t’i shërbyer Sigurimit duke e dërguar me shërbim në Belgjikë. Sigurimi nuk nguroi t’i përmendte edhe faktin që fisi i Blloshmajve ishin të shpallur “Kulakë” nga Pushteti Popullor. Mirëpo Vilsoni i trembur pikërisht nga Biografia e tij, gjykoi për ndonjë hakmarrje nga Pushteti Popullor dhe refuzoi rekrutimin për t’u vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Kaq u desh, të refuzojë bashkëpunimin aso kohe, ishte si vetëvrasje. Për këtë, Sigurimi u hakmor pa pasur nevojë për “Agjentë të fshehur” por i eliminoi të dy, duke i pushkatuar.
HISTORIA E KAMPIONIT
Këto ishin variacione të punëve të Sigurimit të Shtetit. Ndërsa historia e Aleksandër Kondis, është më komplekse, nuk ishte thjesht arratisje e një qytetari. Në ekipin Dinamo, ekipi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu siç ishte edhe ekipi i Partizanit, ekipi i Ushtrisë Popullore, Aleksandri kish një shok të ngushtë A. Sukniqi, me origjinë malazeze, i cili mbante lidhje me fisin e tij dhe… Fisi i tij kujdesej nga UDB-ja, për mbarëvajtjen e Sukniqit si ngritës peshash model. Sukniqi, e mbante afër, Aleksandrin, i jepte edhe rroba të ardhura nga Jugosllavia, (shteti Shqiptar nuk e pengonte këtë gjë, por kujdesej për propagandën me to), gjithashtu i kish dhënë një orë “Atlantik” dhe një “Areta” etj. kështu Sukniqi kish për detyrë që të përpunonte patjetër Aleksandrin si një figurë me emër në Shqipëri e aq më tepër oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
– Ti, Sandri, – Je njeri me emër, kampion në Shqipëri por, trajtimin nuk na e bëjnë, nuk na vlerësojnë, jashtë vlerësohen sportistët, edhe me emër, edhe me shpërblime edhe me dhurata etj. etj.
– E, ç’duhet të bëjmë, ç’mendon ti për këtë situatë?
Dhe sukniqi i tregoi variantin që kishte kohë që e përpunonte, kur të shkonin në Mal të Zi, në Kampionatin Ballkanik që po afronte, kur ekipi të niset për këtu, ne qëndrojmë atje, tek njerëzit e mi, i kam marrë të gjitha masat. Ata na presin etj., etj..







