Mbrëmjen e të mërkurës do të përcaktohet edhe finalistja e dytë e Ligës së Kampioneve. Pas duelit spektakolar në ndeshjen e parë, Bayern Munich dhe Paris Saint Germain, do të përballen mes tyre në sfidën e kthimit në “Allianz Arena”.
Francezët vijnë në këtë takim pas fitores 5-4 në ndeshjen e parë, në atë që u fut në histori si gjysmëfinalja më me shumë gola të shënuar.
Bayern Munich synon finalen e 12-të në histori dhe pritet të jetë një përballje shumë e luftuar. Gjermanët vijnë në këtë duel në formë të mirë, ndërsa njohin vetëm një humbje në 29 ndeshjet e tyre të fundit në shtëpi në Champions.
PSG-ja synon të mbrojë avantazhin e ndeshjes së parë dhe të bëhet ekipi i parë francez që arrin tre finale në Champions League. Parisienët janë kualifikuar në 14 nga 17 ndeshjet e mëparshme europiane, kur fituan duelin e parë.
PSG ka vetëm katër fitore nga 12 ndeshjet e fundit kundër skuadrave gjermane me 2 barazime, dhe 6 humbje, ndërsa Bayerni ka 14 fitore nga 17 ndeshjet e fundit kundër kundërshtarëve francezë, ndërsa numëron edhe 3 humbje.
Ndeshja Bayern Munich-Paris Saint Germain do të luhet mbrëmjen e së mërkurës, duke nisur nga ora 21:00.







