Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të ri që përcakton specifikimet teknike dhe rregullat strikte për vulosjen e dokumenteve të udhëtimit në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë. Ky akt nënligjor, që vjen në zbatim të ligjit të ri për kontrollin e kufirit shtetëror, synon të rrisë sigurinë dhe të modernizojë procesin e verifikimit të udhëtarëve.
Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, vulat kufitare tashmë kategorizohen si “mall me natyrë të veçantë”, duke iu nënshtruar procedurave specifike të prokurimit dhe sigurisë.
Specifikimet teknike dhe siguria e lartë
Vulat e reja do të kenë një trup dhe gjurmë metalike për t’i rezistuar përdorimit të shpeshtë, por risia qëndron te mekanizmi i tyre. Ato do të kenë datarin dhe një kod sigurie të lëvizshëm, i cili do të ndërrohet në intervale të rregullta, jo më të gjata se një muaj.
Çdo gjurmë vule do të jetë e personalizuar dhe do të përmbajë emrin e pikës përkatëse të kalimit kufitar; simbolin e mjetit të udhëtimit (ajror, detar apo tokësor); simbolin shtetëror “AL” të rrethuar nga një rreth; kodet e sigurisë, të cilat klasifikohen si informacion “konfidencial”.
Për të monitoruar çdo lëvizje, do të krijohet një Pikë Kombëtare Kontakti nën varësinë e Policisë së Shtetit. Ky strukturë do të ketë akses të menjëhershëm në identitetin e çdo rojeje kufitare që ka në dorëzim një vulë specifike dhe kodin e saj në çdo kohë të caktuar.
Si do të vulosen pasaportat? Rregullat praktike
Vendimi sqaron në detaje mënyrën se si policia kufitare duhet të veprojë me dokumentet e udhëtimit për të shmangur dëmtimin e tyre apo mbulimin e vizave. Për pasaportat pa vizë vula e hyrjes vendoset në anën e majtë të faqes së parë të lirë (nga lart), ndërsa vula e daljes vendoset përbri saj në të njëjtën faqe.
Për pasaportat me vizë vulosja kryhet në faqen përballë asaj ku është vendosur viza. Nëse është e zënë, kalohet në faqen vijuese.
Ndalohet kategorikisht vulosja në zonën e lexueshme nga aparaturat (MRZ) ose në faqet e rezervuara për shënime të tjera zyrtare.
Procedurat për refuzimin e hyrjes dhe gabimet
Në rastet kur një shtetasi i refuzohet hyrja në Shqipëri, rregullat janë mjaft specifike: në pasaportë vendoset vula e hyrjes, por ajo anulohet me një kryq me bojë të pashlyeshme. Përbri saj shënohet shkronja korresponduese që tregon shkakun e refuzimit.
Nëse një punonjës i policisë kufitare gabon gjatë vulosjes, vula revokohet duke vendosur dy viza paralele në këndin e sipërm të majtë.
Për personat që kanë hyrë apo dalë rregullisht, por për arsye të ndryshme u mungon vula në pasaportë ose shënimi në sistemin elektronik, Policia Kufitare do të lëshojë një formular të posaçëm vërtetimi. Ky dokument lëshohet vetëm pasi autoritetet të verifikojnë ligjshmërinë përmes biletave të udhëtimit, listave të udhëtarëve apo arkivave zyrtare.
Ky vendim i ri shfuqizon rregullat e vjetra të vitit 2016 dhe ngarkon Ministrinë e Punëve të Brendshme për zbatimin e menjëhershëm të tij në të gjitha pikat e kalimit kufitar.







