Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar së fundmi ligjin e ri nr. 46/2026, i cili sjell ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në funksionimin, strukturën e gradave dhe kriteret e emërimit të drejtuesve të lartë të Gardës së Republikës. Ligji i ri, i cili vjen si propozim i një deputeti, synonte të reformojë skemën e karrierës së brendshme dhe të hapë rrugën për pranimin e specialistëve nga strukturat e tjera të sigurisë.
Ky ligj është shpallur zyrtarisht me dekretin nr. 316, datë 15.5.2026, nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Rregullat e reja për emërimin e Drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit
Një nga pikat më kryesore të këtij ligji prek mënyrën se si përzgjidhet kreu i Gardës dhe zëvendësi i tij, duke saktësuar gradat që duhet të mbajnë kandidatët përpara se të marrin detyrën.
“Drejtori i përgjithshëm i Gardës së Republikës emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”. Ai përzgjidhet nga radhët e punonjësve të Gardës që mbajnë gradën “Drejtues i Parë/Drejtues i Lartë.”,”, përcaktohet në pikën 1 të nenit 2.
Ndryshime ka pësuar edhe emërimi i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm. Sipas rregullave të reja, në momentin e emërimit ai do të marrë automatikisht gradën “Drejtues i Lartë”, por ligji specifikon se kjo gradë është e lidhur ngushtë me funksionin. Nëse zëvendësdrejtori transferohet në një detyrë tjetër, ai rimerr gradën e tij të mëparshme “Drejtues i Parë”.
Hapen dyert për punonjësit nga fushat e tjera të sigurisë
Ligji i ri sjell një risi të rëndësishme që lidhet me rekrutimin. Garda e Republikës tashmë do të mund të plotësojë nevojat e saj organike duke pranuar edhe punonjës që vijnë nga strukturat e tjera të sigurisë (si Policia e Shtetit apo institucione të ngjashme), nën kritere të qarta moshe dhe konkurrimi.
“Për plotësimin e nevojat e identifikuara për rekrutimin e punonjësve me gradën “Inspektor” deri “Komisar” mund të pranohen në Gardën e Republikës edhe punonjës nga fushat e tjera të sigurisë dhe të jenë deri në moshën 40 vjeç,”, thuhet në tekstin e ligjit.
Ky kalim mes strukturave do të realizohet duke u njohur plotësisht vjetërsia në shërbim, ndërsa Këshilli i Ministrave është ngarkuar që brenda tre muajve të miratojë skemën e ekuivalentimit të gradave midis institucioneve.
Kohëzgjatja e gradave dhe rregullat e largimit nga detyra
Neni 9 i ligjit reformon kohëzgjatjen që i duhet një punonjësi të shërbejë në një gradë për të fituar të drejtën e gradimit të mëtejshëm. Për gradat nga “nënkomisar” deri në “drejtues i parë”, koha e qëndrimit është caktuar fiks në 5 vjet për secilën fushë. Gjithashtu, janë specifikuar qartë kushtet e pezullimit, ku përfshihet marrja e njoftimeve nga organet ligjzbatuese për cenim dinjiteti apo nisja e hetimeve disiplinore për shkelje të rënda.
Ligji i ri ka detajuar në mënyrë taksative edhe rastet e ndërprerjes definitive të marrëdhënieve të punës, duke i ndarë ato në “lirim” (për shkaqe si mosha e pensionit, paaftësia mjekësore, shkurtimet organike apo performanca e dobët) dhe në “përjashtim”.
Sipas nenit 8, një punonjës përjashtohet menjëherë nëse:
Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale.
Shkel betimin ose cenon rëndë integritetin e institucionit.
Nuk paraqitet në detyrë pa shkaqe të justifikuara për më shumë se 7 ditë pune rresht.
Ka konsumuar të gjitha masat e tjera disiplinore të parashikuara.







