Një raketë “New Glenn”, e zhvilluar nga kompania Blue Origin e Jeff Bezos, shpërtheu në platformën e nisjes gjatë një testimi në orët e natës së 27 majit, duke shënuar një tjetër pengesë për ambiciet e kompanisë për të rivalizuar SpaceX-in e Elon Musk
Një video e publikuar nga kanali në YouTube “NasaSpaceflight”, i cili transmeton drejtpërdrejt lëshimet hapësinore nga Florida, tregon momentin kur motorët e raketës ndizen dhe më pas pason një shpërthim i fuqishëm.
Në një deklaratë zyrtare, Blue Origin foli për një “anomali” gjatë testit të ndezjes dhe funksionimit të motorëve, duke theksuar se nga incidenti nuk pati viktima apo të lënduar.
Kompania po punonte për përgatitjen e raketës me synim dërgimin në orbitën e ulët të Tokës të 48 satelitëve të konstelacionit Amazon Leo, projektuar si konkurrent i rrjetit satelitor Starlink.
Incidenti konsiderohet një goditje për planet e Blue Origin në garën gjithnjë e më intensive të industrisë hapësinore private.







