y muaj e gjysmë pas ngjarjes së rëndë ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj u vetëflijua në një banesë në Tiranë, detaje të reja po dalin në dritë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetim ndaj Komisariatit nr.2 për mënyrën si është trajtuar çështja.
Burime bëjnë me dije se prej dy javësh AMP po verifikon veprimet hetimore të kryera nga efektivët e komisariatit, mes dyshimeve se zbardhja e plotë e ngjarjes është neglizhuar.
Për ngjarjen është shpallur në kërkim ish-bashkëshorti i Xhuanës, Eraldo Fizi, i dyshuar për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”, por hetuesit dyshojnë se edhe persona të tjerë mund të kenë dijeni apo rol në atë që ndodhi.
Sipas informacioneve, telefoni i 25-vjeçares ende nuk është këqyrur plotësisht, ndërsa telefoni i shoqes me të cilën ajo ndante banesën nuk është sekuestruar. Shoqja e saj ka dhënë vetëm një deklaratë në spital dhe më pas nuk është marrë më në pyetje.
Të afërm të viktimës pretendojnë se shoqja e Xhuanës insistonte vazhdimisht që ajo të takohej me Eraldo Fizin, ndërsa motrat e saj kanë qenë në dijeni të kërkesave të vazhdueshme të tij për ta takuar.
Dyshime janë ngritur edhe për mënyrën si policia kreu kontrollin në banesë pas ngjarjes. Fillimisht u deklarua se nuk ishte gjetur fostoksinë, por dy ditë më vonë familjarët thanë se e gjetën pranë sendeve personale të Xhuanës dhe njoftuan sërish policinë.
Autopsia ka treguar se 25-vjeçarja kishte shenja dhune në trup. Sipas të dhënave hetimore, natën e ngjarjes Eraldo Fizi dyshohet se e kishte çuar Xhuanën në Shëngjin, ku pretendohet se e ka dhunuar në automjet, përpara se të riktheheshin në Tiranë.
Makina e tij rezulton gjithashtu e gjobitur për tejkalim shpejtësie pranë ish-sheshit “Shqiponja” rreth orës 03:00 të mëngjesit. Pas kthimit në Tiranë, ai dyshohet se e ka lënë Xhuanën në banesën ku jetonte me qira dhe të nesërmen ajo kreu aktin ekstrem.
Eraldo Fizi vijon të jetë në arrati, ndërsa disa tentativa të policisë për arrestimin e tij kanë dështuar.







