Mbi 26,600 maturantë në të gjithë vendin kanë nisur provimet e Maturës Shtetërore, ku sot ata do të testohen në gjuhën e huaj.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë maturantët, duke u uruar mbarësi dhe suksese në këtë proces të rëndësishëm.
“Sot është një ditë e veçantë dhe plot emocione për mbi 26,600 maturantët tanë, të cilët nisin rrugëtimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Dua t’i uroj me gjithë zemër secilit prej jush mbarësi dhe shumë suksese”, shkruan Kumbaro.
Sipas saj, për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit, në 144 qendra provimi në të gjithë vendin janë angazhuar mbi 2 mijë mësues administratorë, 170 monitorues nga ministria dhe 650 vlerësues, të cilët do të ndjekin me përkushtim çdo etapë të zhvillimit të provimeve.
Në mesazhin e saj, ministrja u ka uruar maturantëve që ky të jetë fillimi i një rruge të suksesshme drejt universiteteve dhe profesioneve që ata ëndërrojnë të ndjekin.
“Paçi mbarësi dhe qoftë ky fillimi i një rruge të ndritur drejt auditorëve të universiteteve tona në profesionet që ju ëndërroni”, përfundon urimi i Kumbaros.







