Instituti “Harry Fultz”, ka njoffuar lajmin e trishtë duke bërë me dije se është ndarë nga jeta drejtoresha e shkollës, Brikena Baxhaku.
Baxhaku prej vitesh me radhë i shërbeu istitutit me profesionalizëm dhe përgjegjësi, teksa dha një kontribut të çmuar në edukimin e brezave.
“Ajo do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje për punën e palodhur, integritetin dhe vlerat njerëzore që përcolli gjatë gjithë veprimtarisë së saj profesionale”, shkruan ndër të tjera shkolla, teksa i shpreh ngushëllime familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që punuan pranë saj.
Theksojmë se emri i saj u bë edhe më i njohur pasi në shkurt të vitit të kaluar u thirr për të dëshmuar dhe për të ofruar dokumente institucionale në lidhje me diplomën e shkollës së mesme të Belind Këlliçit. Në cilësinë e saj zyrtare si drejtoreshë, Baxhaku i dha sqarime prokurorisë dhe medias, duke konfirmuar se individi në fjalë kishte ndjekur, por nuk kishte përfunduar të gjithë kurrikulën e kërkuar për t’u diplomuar nga Instituti.
Reagimi i plotë:
Gjithmonë me ne, Brikena!
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Drejtores së Shkollës sonë, Brikena Baxhaku.
Prej shumë vitesh, znj. Baxhaku i shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionit tonë, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë dhe në zhvillimin e shkollës sonë.
Ajo do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje për punën e palodhur, integritetin dhe vlerat njerëzore që përcolli gjatë gjithë veprimtarisë së saj profesionale.
Stafi, nxënësit dhe komuniteti i Institutit “Harry Fultz” shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që punuan pranë saj.
Kujtimi dhe kontributi i saj do të mbeten përherë pjesë e historisë së institucionit tonë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj.







