FED invest zhvilloi me sukses Asamblenë e XIII-të të Përgjithshme Vjetore, ku delegatë dhe përfaqësues të anëtarësisë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të analizuar rezultatet e vitit 2025 dhe për të miratuar drejtimet strategjike për vitin 2026.
Asambleja u mbajt në një vit simbolik për institucionin, pasi 2025 shënoi 10-vjetorin e FED invest si institucion i konsoliduar financiar dhe 33 vite traditë në financën sociale shqiptare.
Në fjalën e tij, Behar Gjoni, Drejtor i Biznesit dhe Zëvendës Administrator i FED invest, vlerësoi arritjet e vitit që lamë pas:
“Viti 2025 konfirmoi se FED invest vijon të jetë një partner i besueshëm për fermerët, gratë sipërmarrëse, mikro-bizneset dhe SME-të në të gjithë Shqipërinë. Rritja e portofolit të kredisë, tejkalimi i pragut prej 100 mijë anëtarësh dhe zgjerimi i bashkëpunimeve me partnerë ndërkombëtarë dëshmojnë se modeli ynë i financës sociale mbetet i qëndrueshëm dhe efektiv.”
Gjatë punimeve të Asamblesë u prezantuan rezultatet kryesore financiare dhe operacionale të vitit 2025, të cilat konfirmojnë rritjen e qëndrueshme të institucionit dhe forcimin e mëtejshëm të rolit të tij në mbështetje të ekonomisë lokale.
Rezultatet kryesore të vitit 2025
100,278 anëtarë aktivë;
9.9 miliardë lekë aktive totale;
7 miliardë lekë portofol kredie;
5.6 miliardë lekë depozita të anëtarëve;
21% mjaftueshmëri kapitali.
Këto tregues reflektojnë besimin e vazhdueshëm të anëtarëve dhe pozicionin e FED invest si institucioni më i madh financiar me strukturë kooperative në Shqipëri.
Përmes aktivitetit të tij, FED invest vijon të mbështesë familjet, fermerët, gratë sipërmarrëse, bizneset e vogla dhe SME-të në zonat urbane, rurale dhe semiurbane, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik në të gjithë vendin.
Duke folur për objektivat e vitit 2026, z. Gjoni theksoi: “Arritja e mbi 100 mijë anëtarëve është dëshmia më e qartë e besimit që komunitetet kanë ndaj FED invest. Prioriteti ynë mbetet të sjellim më shumë financim, më shumë inovacion dhe më shumë mundësi zhvillimi për fermerët, sipërmarrësit dhe familjet shqiptare, duke i mbajtur gjithmonë anëtarët në qendër të çdo vendimmarrjeje.”
Për vitin 2026, FED invest do të fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të produkteve financiare, transformimin digjital të shërbimeve, forcimin e marrëdhënies me anëtarët, zgjerimin e partneriteteve strategjike dhe mbështetjen e sipërmarrjeve që krijojnë vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm në komunitetet lokale.
Asambleja e XIII-të e Përgjithshme Vjetore rikonfirmoi angazhimin e FED invest për të vijuar rrugëtimin si një institucion financiar i qëndrueshëm, inovativ dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.







