Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar zyrtarisht lidhur me deklaratat e forta të bëra nga një i ri gjatë protestës antiqeveritare përpara Kryeministrisë, duke i cilësuar pretendimet e tij si plotësisht të pavërteta. Përmes një deklarate të dhënë nga një zyrtar i saj për median “Shqiptarja.com”, selia diplomatike hodhi poshtë çdo mundësi që pas mesazheve apo telefonatave të përmendura nga protestuesi të qëndronte institucioni amerikan. Ky reagim erdhi menjëherë pasi i riu, nga foltorja e ngritur në bulevard, pretendoi publikisht se kishte marrë kërcënime dhe intimidime anonime në emër të Ambasadës së SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së tij në tubimin paqësor.
Pyetja publike e tij për Ambasadën e SHBA-së, dukej se e forconte edhe më tej pretendimin e tij, se pas kërcënimeve të mundshme qëndronte selia e përfaqësisë amerikanë në Tiranë
Para disa orësh kam marrë disa mesazhe dhe telefonata kërcënuese anonime. Besoj se edhe shumë të tjerë, nuk jam i vetmi që kam marrë. Mesazhe kërcënuese për protestën time paqësore për këtë popull. Por unë sot nuk vij me mesazhe private. I bëj një mesazh publik. Ne këtu do të qëndrojmë, këtu do të protestojmë, derisa kërkesat tona të plotësohen. Dhe diçka të fundit, mesazhet pretendonin se ishin nga Ambasada Amerikane. T’ju bëj një pyetje Ambasadës Amerikane, kështu e trajtoni ju rininë shqiptare? Me kërcënime? Me intimidime?”, tha protestuesi gjatë fjalës së tij në tubim, ç’ka nxiti edhe reagimin e vetë Ambasadës së SHBA.







