Nga Bujar Leskaj
Në historinë politike të çdo vendi, ka momente kur një slogan i thjeshtë arrin të përmbledhë pakënaqësi, shpresa, zhgënjime dhe kërkesa për ndryshim të pjesës më të madhe të shoqërisë.
Në Shqipërinë e vitit 2026, për mbështetësit e protestave të nisura më 31 maj dhe sot në ditën e 25-të të tyre, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” është shndërruar në simbolin më të njohur të lëvizjes protestuese rinore, në një lloj hymni të dytë kombëtar të vendit, ku shumica e shqiptarëve sot identifikohen.
I Fuqia e një mesazhi të thjeshtë dhe të prerë
Një nga arsyet pse slogani “Rama jepe dorëheqjen!” ka fituar jehonë është thjeshtësia e tij. Ai përmban një kërkesë të drejtpërdrejtë, të kuptueshme për këdo dhe të lehtë për t’u përsëritur në protesta.
Historikisht, sloganet që mbijetojnë janë ato që arrijnë të përmbledhin në pak fjalë një mesazh të gjerë politik. Në këtë rast, për protestuesit dhe për shumicën e shqiptarëve, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit autokrat dhe zullumqar është bërë pika e përbashkët që bashkon qytetarë me motive dhe shqetësime të ndryshme, nga Shqipëria dhe Diaspora.
Të 24 protestat e deritanishme kanë njohur pjesëmarrjen dërrmuese të të rinjve nga të gjitha trojet e kombit tonë. Kjo i jep sloganit një dimension të veçantë. Historikisht, të rinjtë kanë qenë forca më dinamike në lëvizjet qytetare dhe demokratike.
Energjia, kreativiteti dhe përdorimi intensiv i mediave sociale kanë ndihmuar që ky mesazh-himn i sotëm të përhapet më shpejt dhe të arrijë audienca gjithnjë e më të gjera. Mjafton të përmendim të 122 personalitetet e Diasporës Shqiptare, në mbështetje të protestave dhe lëvizjes.
Për shumicën dërrmuese të të rinjve në protestë dhe të atyre që e përkrahin protestën pa marrë pjesë fizike në të, slogani përfaqëson jo vetëm një kërkesë të prerë dhe ultimative ndaj drejtuesit të sektit në qeverisje, por edhe një shprehje të dëshirës për më shumë mundësi, përfaqësim dhe besim tek e ardhmja në vendin e tyre.
Slogani-hymn i përsëritur me forcë dhjetra mijëra herë në këto 24 ditë, ka krijuar identitet të përbashkët, ka forcuar ndjenjën e përkatësisë, ka rritur dukshmërinë e kauzës dhe ka ndihmuar n mobilizimin e mbështetësve. Pikërisht përsëritja e vazhdueshme është ajo që e kthen një thirrje të zakonshme në simbol të një lëvizjeje.
II. Nga slogan proteste në simbol lëvizjeje
Gjatë ditëve të protestave, thirrja është dëgjuar në sheshe dhe bulevarde brenda dhe jasht vendit, në tubime qytetare në të gjithë botën, në rrjete sociale, në pankarta dhe postera, si dhe në deklarata publike të mbështetësve të protestës.
Përsëritja e vazhdueshme e ka kthyer atë në element identifikues të lëvizjes, njësoj siç kanë ndodhur raste të ngjashme në vende të tjera, për shembull në Poloni me “Solidarnost”, etj., ku sloganet janë bërë simbole të periudhave të caktuara politike.
“Rama jepe dorëheqjen!” nuk përfaqëson thjesht një kërkesë drejtuar një individi apo një partie politike. Ajo është vullkan i plotë në shpërthim i një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve tona publike.
Slogani mishëron kërkesa për më shumë transparencë në vendimmarrje, për forcimin e llogaridhënies publike, luftë më efektive kundër korrupsionit, institucione më të pavarura, dialog më të gjerë me qytetarët dhe rritje të besimit tek shteti dhe administrata publike.
III. Kërkesat e fuqishme për përgjegjësi politike dhe transparencë
Një nga parimet themelore të demokracisë është që qeveritë dhe drejtuesit politikë t’u përgjigjen qytetarëve për vendimet dhe rezultatet e tyre.
Me “Rama jepe dorëheqjen!”, protestuesit argumentojnë se, kur pakënaqësitë publike bëhen të vazhdueshme dhe të dukshme, kërkohet një ndryshim i thellë politik në vend. Kjo është rrugëdalja e vetme.
Në këtë kuptim, thirrja për dorëheqje interpretohet si një kërkesë e fuqishme për marrje përgjegjësie politike dhe jo vetëm si një slogan. Dy ditë më parë u dorëhoq kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, pikërisht se mori përgjegjësitë politike që i takonin.
Në vendet demokratike, debati mbi përgjegjësinë politike përbën një element të rëndësishëm të kulturës së qeverisjes dhe të raportit mes qytetarëve dhe pushtetit.
Një tjetër dimension i rëndësishëm që lidhet me “Rama jepe dorëheqjen!”është kërkesa për transparencë. Qytetarët protestues dhe jo vetëm ata kërkojnë gjithnjë e më shumë informacion të plotë mbi projektet publike, konsultim të gjerë për investimet strategjike, qartësi mbi përdorimin e fondeve publike dhe akses më të madh në informacionin zyrtar.
Në epokën e komunikimit dixhital, pritshmëritë për transparencë janë më të larta se kurrë dhe sekti Rama në qeverisje ka bërë për 14 vite rrjesht të kundërtën.
xx
Historia e demokracive moderne tregon se ndryshimi politik është një proces normal dhe i domosdoshëm. Ai mund të vijë përmes zgjedhjeve, reformave institucionale, dialogut politik, ose edhe formave të tjera të pjesëmarrjes qytetare.
Për protestuesit dhe shumicën e shqiptarëve, slogani-hymn “Rama, jepe dorëheqjen!” përfaqëson bindjen se vendi ka nevojë për një fazë të re politike, me ide, energji dhe qasje të reja në qeverisje.







