HomeAktualitetPlani i masave për sezonin turistik, monitorim nga ajri me dronë dhe...

Plani i masave për sezonin turistik, monitorim nga ajri me dronë dhe zero tolerancë për mjetet lundruese

Advertismentspot_img

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Kryepolici Skënder Hita kanë prezantuar në Durrës këtë të premte, 26 qershor, planin e masave të ndërmarra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë sezonit veror 2026.

Me qëllim mbarëvajtjen e një sezoni të qetë për miliona vizitorë, Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të jenë në terren me kapacitete të shtuara, gatishmëri të plotë dhe teknologji moderne.

Ndryshe nga vitet e kaluara, risia e këtij sezoni do të jetë mbështetja e integruar e njësive detare nga ajri, përmes monitorimit të pandërprerë me dronë, duke mundësuar një kontroll më gjithëpërfshirës të territorit. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari theksoi se zhvillimi i turizmit sjell jo vetëm mundësi ekonomike, por edhe përgjegjësi të reja për garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe qytetarëve.

“Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik. Ai zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në Pikën Kufitare dhe e mbron me profesionalizëm.  Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën për Policinë e Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike”, tha Lamallari.

Duke u ndalur te siguria në hapësirën detare, Lamallari theksoi rolin e Njësisë Policore Detare, e cila është kthyer në një strukturë të rëndësishme për parandalimin e incidenteve në plazhe dhe garantimin e respektimit të rregullave të lundrimit.

Sipas tij, gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det, ndërsa janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese dhe janë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.

“Kjo strukturë moderne, e ngritur për herë të parë në vitin 2023, sot është kthyer në një nga garancitë më të forta të sigurisë në hapësirën detare të vendit, nga Velipoja deri në Ksamil, nga brigjet e Adriatikut deri në ujërat e Jonit Për sezonin veror 2026, Policia e Shtetit do të rrisë praninë operative në vijën bregdetare, përmes mjeteve të specializuara, teknologjisë dhe monitorimit të vazhdueshëm. 35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve. Policia Kufitare është shpesh fytyra e parë e shtetit shqiptar për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo qytetar shqiptar dhe të huaj”, u shpreh ministri.

Ndërkohë Kryepolici Skënder Hita paralajmëroi zero tolerancë për mjetet lundruese, motorët e ujit, skafet dhe anijet turistike që rrezikojnë jetën e pushuesve, duke garantuar kontrolle të rrepta dhe të pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me synimin që sezoni turistik 2026 të kthehet në një histori suksesi.

“Shqipëria po përjeton një vit sa më të mirë në turizëm dhe miliona vizitorë zgjedhin vendin tonë jo vetëm për bukuritë e natyrës, historinë dhe kulturën, por edhe sepse e perceptojnë atë si një vend mikpritës dhe të sigurt. Kjo është një arritje kombëtare, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për të gjitha institucionet e sigurisë dhe veçanërisht për Policinë e Shtetit. Viti 2025 tregoi një rritje të jashtëzakonshme të fluksit të turistëve, pushuesve dhe vizitorëve, ndërsa viti 2026 po dëshmon se Shqipëria tashmë është destinacion i konsoliduar rajonal dhe evropian përgjatë gjithë vitit. Për Policinë e Shtetit, menaxhimi i sezonit turistik mbetet prioritet absolut dhe shoqërohet me një angazhim të shtuar operacional në të gjithë territorin.

Policia Kufitare dhe më pas Policia Rrugore janë kontaktet e para që një vizitor krijon në vendin tonë. Uniforma jonë duhet të përfaqësojë autoritetin e ligjit, por njëkohësisht edhe mikpritjen, integrimin dhe mirësjelljen, si vlera të spikatura të shoqërisë shqiptare. Patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare, në bashkëpunim me Rojën Bregdetare. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon, njësia policore detare do të mbështetet në mënyrë të integruar edhe nga ajri, me monitorim përmes dronëve, për të garantuar një kontroll më gjithëpërfshirës të territorit. Theksoj me vendosmëri se nuk do të tolerohet asnjë lloj shkeljeje nga mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve. Kontrollet ndaj mjeteve lundruese, motorëve të ujit, skafeve dhe anijeve turistike do të jenë të pandërprera dhe të rrepta”, u shpreh Skënder Hita.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular