Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 persona, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
Për gjykim janë dërguar vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Genti (alias Kili, alias Ekil) Nderjaku, Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid BORAJ, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj, Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani.
Sipas SPAK, grupi ka vepruar gjatë viteve 2020-2021 dhe ka trafikuar në total 8.1 ton drogë, konkretisht 7261 kg kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg kanabis sativa. Droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe shteteve të tjera evropiane.
Në krye të organizatës kriminale, sipas SPAK, qëndronin Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për drejtimin e grupit kriminal, pasi dyshohet se organizonin, koordinonin dhe financonin aktivitetin e paligjshëm.
Ndërkohë Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (Dritan) Shkëmbi, Amer (Ilir) Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen si pjesëmarrës të grupit të strukturuar kriminal, të përfshirë në episode të ndryshme të trafikut dhe shitjes së drogës.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu pushimin e hetimeve për tre persona. Për një nga episodet që i atribuohej Devid Patrut është zbatuar parimi “ne bis in idem”, pasi ai ishte dënuar më herët nga autoritetet belge për të njëjtin fakt penal.
Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin është kërkuar pushimi i hetimeve, pasi nuk u provua kryerja e veprës penale ose fakti penal nuk ekzistonte.
AKUZAT NDAJ TË PANDEHURVE:
Artur Hoxhosmani – Akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, drejtim të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, si dhe futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil) dhe Nazmi Shahini (alias Drazhi) – Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Devid Patrut (alias Devid Boraj, Elidon Skëndaj, Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, Andrea Dylgjeri) – Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Klevis Hoxhosmani – Akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (Dritan) Shkëmbi dhe Amer (Ilir) Lloshi – Akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Julian Meçaj dhe Bledar Polovina – Akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani – Akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Njoftimi i plote i SPAK:
Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim të procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024, në ngarkim të 15 të pandehurve, të akuzuar si më poshtë vijon:
Artur Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit,
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me fishekët e gjetur në banesë, e parashikuar nga neni 278/3 të Kodit Penal,
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal, si dhe
“Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, e parashikuar nga Neni 324/a/1 të Kodit Penal.
Genti (alias Kili, alias Ekil) Nderjaku dhe Nazmi Shahini (alias Drazhi), për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe
“Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në rolin e drejtuesit.
1. Devid Patrut (alias Devid BORAJ, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, (në episodin e 13.12.2020, Guajaquyil, Ekuador) parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe
“Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit.
2.Klevis Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar, më shumë se një herë (në episodet e datës 06-07.06.2020, Roterdam, Holandë; dhe 28.10.2020, Roterdam, Holandë) nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe
“Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.
3.Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, dhe Amer (alias Ilir) Lloshi, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 (në episodin e datës 28.10.2020, Roterdam, Holandë) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe
“Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.
4. Julian Meçaj dhe Bledar Polovina, për kryerjen e veprave penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues, përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani, për kryerjen e veprave penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyEcc, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se të pandehurit në bashkëpunim mes tyre, me persona të dënuar nga autoritetet e huaj, me persona të proceduar nga autoritetet shqiptare, apo persona ende të paidentifikuar, kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazil, Ekuador e Kolumbi) dhe Spanja e Maroku për në vendet evropiane (Itali, Belgjikë, Spanjë, Holandë etj.,), si dhe kanë tregtuar dhe ofruar për shitje në këto shtete evropiane në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, sasi të konsiderueshme prej 8126 kg lëndë narkotike:
- 7261 kg, lëndë narkotike e llojit kokainë
- 590 kg, bimë narkotike e llojit hashash
- 275 kg, bimë narkotike e llojit kanabis sattiva.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme që lidhen me narkotikët, ndërsa të pandehurit Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani, kanë patur rolin e pjesëmarrësve.
Prokuroria e Posaçme ka depozituar pranë gjyqtarit të seancës paraprake kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj 3 (tre) personave nën hetim, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Bazuar në aktet e administruara gjatë hetimit, është konkluduar se, për një nga episodet e atribuuara të hetuarit Devid Patrut, ky i fundit është dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë. Për rrjedhojë, në këtë rast gjen zbatim parimi i gjësë së gjykuar (ne bis in idem). Ndërsa, për të hetuarit Ilir Lloshi dhe Julian Pjetri u konkludua se fakti penal i atribuuar nuk ekzistonte ose nuk u arrit të provohej kryerja e veprave penale.
Hetimet rreth këtij procedimi penal janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet franceze, spanjolle, belge, britanike, holandeze, braziliane, italiane, ekuadoriane të drejtësisë, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit të masave të sigurimit personal në bashkëpunim me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve që kanë marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm në fushën e narkotikëve dhe vijimin e hetimit pasuror/financiar kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024, dhe numërtimin si procedimi penal nr. 184/3.1 i vitit 2026.
SPAK falenderon autoritetet e drejtësisë franceze, spanjolle belge, britanike, holandeze, braziliane, italiane, ekuadoriane, Eurojust dhe Europol, për mbështetjen dhe ndihmën në këtë procedim.







