Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka paguar rreth 3 milionë dollarë kompensim për personelin e prekur nga e ashtuquajtura Sindroma e Havanës, një gjendje misterioze neurologjike e raportuar fillimisht nga diplomatë, agjentë të inteligjencës dhe familjarët e tyre.
Pagesat janë bërë në bazë të Aktit të Havanës, i cili u miratua në vitin 2021. Departamenti amerikan i Mbrojtjes bëri të ditur se kompensimet janë pagesat e para zyrtare për personelin e prekur dhe theksoi se do të vazhdojë t’i japë përparësi kujdesit dhe mbështetjes për të gjithë ata që kanë raportuar simptoma të lidhura me këtë gjendje.
Sindroma e Havanës u raportua për herë të parë në vitin 2016 nga diplomatët amerikanë në ambasadën e SHBA-së në Kubë. Më pas, raste të ngjashme u regjistruan edhe te punonjësit amerikanë të vendosur në vende të tjera, përfshirë Kinën.
Të prekurit kanë përshkruar simptoma të ndryshme, si dëgjimi i gumëzhimave, klikimeve dhe tingujve të pazakontë, presion i fortë në kokë, marramendje, të përziera dhe vështirësi në përqendrim.
Ish-analistja e CIA-s, Erika Stith, e përshkroi gjendjen e saj duke deklaruar se “truri im është i dëmtuar”, ndërsa kërkoi mbështetje për të gjithë ata që janë prekur gjatë shërbimit ndaj vendit.
Për vite me radhë, shkaku i Sindromës së Havanës ka qenë objekt debatesh. Një nga teoritë më të përhapura sugjeronte se simptomat mund të ishin shkaktuar nga mikrovalë ose nga një armë e avancuar e përdorur nga një fuqi e huaj kundër personelit amerikan jashtë vendit.
Megjithatë, vitin e kaluar, shumica e agjencive të inteligjencës amerikane vlerësuan se është “shumë e pamundur” që incidentet të jenë rezultat i përdorimit të një arme të re ose pajisjeje prototip nga një aktor i huaj.
Pavarësisht kësaj, raporti i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës thekson se agjencitë nuk vënë në dyshim përvojat dhe vuajtjet e personave të prekur, duke pranuar se ata kanë përjetuar simptoma reale, shpesh të dhimbshme dhe traumatike.
Në vitin 2017, SHBA-ja tërhoqi më shumë se gjysmën e stafit të ambasadës së saj në Havana pas raportimeve për simptoma të pashpjegueshme. Edhe Kanadaja reduktoi ndjeshëm personelin e saj diplomatik në Kubë në vitin 2019, pasi punonjësit raportuan probleme të ngjashme shëndetësore.







