Afro 4 orë nga aksidenti tragjik i ndodhur sot në Tiranë, është publikuar video e momentit kur betonierja duket qartazi duke marrë përpara me shpejtësi skëterrë mjetin tip “Audi”, e pastaj përfundon në nënkalim.
Në pamjet e siguruara nga A2CNN, vërehet momenti kur betonierja për shkak se po qarkullonte me shpejtësi jashtë normave të lejuara, devijon nga rruga e përplaset me “Audin”.
Për shkak të shpejtësisë së lartë, mjeti i tonazhit të rëndë pas përplasjes me fuoristradën, përplaset me barrierën mbrojtëse e përfundon në nënkalim, ku përplasi disa automjete të tjera që pësuan dëme të konsiderueshme.
Siç raportuam dhe pak më parë, nga aksidenti i rëndë humbën jetën dy shtetasit egjipitianë, konkretisht shtetasit Mohamed Lotf, rreth 30 vjeç, drejtuesi i betonieres dhe Mohamed Ali, rreth 44 vjeç, pasagjeri.
Ndërsa mbeti i plagosur rëndë nga ngjarja dhe shoferi i “Audit”, 28-vjeçari Roland Nuri, i cili u transportua në spital. Burimet kanë konfirmuar se fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.








